
Ligji i ri per falimentin, qeveria krijon strukturen e Gjykates se Falimentit
Qeveria ka depozituar tashmë në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin e ri të falimentit, që pritet t’i japë zgjidhjeve një ndër shqetësimeve kryesore të biznesit.
Drafti i qeverisë parashikon ngritjen e Gjykatës së Falimentit, si një strukturë brenda Gjykatës së Rrethit, e cila do të ketë kompetenca të shtuara për të gjitha procedurat e falimentit, duke përfshirë edhe bllokimin e pasurisë së debitorit, por edhe përcaktimin e një administratori të përkohshëm për kompaninë debitore që është në proces falimenti.
Sipas projektligjit, Gjykata vihet në lëvizje pas kërkesës që ka bërë kreditori, që mund të jetë individ, kompani private ose institucion. Ligji përcakton afate të qarta për dorëzimin e kërkesës për fillimin e procedurave të falimentit, ankimimit nga debitori dhe nisjes së seancave gjyqësore, të gjitha brenda një afati prej 1 muaj e gjysmë. Gjithashtu, me ligjin e ri Gjykata e Falimentit ka kompetencën për të bllokuar pasurinë e debitorit, apo dhe të përcaktojë një administrator të përkohshëm deri në mbylljen e të gjitha procedurave gjyqësore. Në projektligj sugjerohet që rrethi i subjekteve monitoruese apo që kanë të drejtën që të jenë të mirinformuara lidhur me procedurat e falimentimit të mbetet jo vetëm në kuadrin e AMF-së, të Gjykatës së Falimentimit, të mbikëqyrësit, apo të kujdestarit, (siç është në ligjin ekzistues), por të shtohet edhe roli i Prokurorisë, i Kontrollit të Lartë të Shtetit apo i autoriteteve mbikëqyrëse të sektorëve të ndryshëm me interes publik.
Roli i këtyre subjekteve lidhet me marrjen dijeni apo verifikimin e dokumenteve, vendimeve gjyqësore, të planit të riorganizimit, ristrukturimit të borxheve apo të transfertave të tre viteve të fundit të subjektit para falimentimit. Kjo me qëllim shmangien e abuzimit apo mashtrimit me procedurat e falimentimit. Projektligji parashikon se “… me marrjen e një kopjeje të vendimit për hapjen e procedurës së falimentimit, prokurori, me qëllim shmangien e abuzimit ose mashtrimit me procedurat e falimentimit, verifikon transfertat dhe veprimet juridike që lidhen me asetet/pasuritë e debitorit dhe të personave të lidhur me të, të kryera, të paktën tri vitet e fundit përpara hapjes së procedurës së falimentimit”.
Relacioni
Në relacionin shpjegues, qeveria shprehet se ligji aktual është pengues për bizneset që kanë falimentuar, pasi për shkak të proçedurave të tejzgjatura kërkon vite të tëra për të përfituar statusin e falimentit, ndërkohë që detyrimet e papaguara të subjektit ndaj institucioneve shtetërore shtohen, duke e bërë të papërballueshëm pagesën e borxhit për të, në kushtet kur nuk ka aftësi paguese prej vitesh. Një çështje e rëndësishme për diskutim është ajo që lidhet me rolin dhe statusin e AMF-së, kufijtë e kompetencave dhe modeli që do të ndiqet. Roli dhe pozita e AMF-së duhet të shihet e lidhur ngushtë me mundësinë e zgjerimit të spektrit të subjekteve kontrollues dhe mbikëqyrës, të aktorëve të rinj pjesëmarrës, që do të bëjnë kujdes për të kontrolluar jo thjesht procedurën e falimentit, por në mënyrë të veçantë do të mbikëqyrin rastet që lidhen me abuzimin dhe mashtrimin në faliment. Një kompetencë e re që parashikon projektligji për AMF-në është se “… Agjencia kërkon të paktën një raportim në çdo 3 muaj nga ana e administratorit të falimentimit, një kopje e të cilit ia dërgon edhe Gjykatës së Falimentimit”.
Kostot dhe shpenzimet e falimentimit
Ligji aktual, parashikon mbylljen ose mosfillimin e procedurës së falimentimit dhe çregjistrimin nga regjistri kombëtar të debitorit, i cili nuk ka mjetet e mjaftueshme për të mbuluar kostot e procedurës së falimentimit. Ky rregullim krijon mundësi të mëdha për skema mashtrimi nëpërmjet falimentimit. Grupi i punës ka kërkuar të gjejë zgjidhje që të shmangë dështimin e procedurës së falimentimit, për shkak të mungesës së mjeteve të debitorit. Lidhur me çështjet e kostove apo të shpenzimeve të falimentimit të cilat figurojnë si një nga pengesat që bllokojnë procedurën kur subjekti ka paaftësi paguese, projektligji parashikon krijimin një depozite garancie për të mbuluar këto shpenzime. Kjo depozitë parashikohet të krijohet si një fond i posaçëm nga subjektet tregtare apo sipërmarrësit pas vitit të tretë të veprimtarisë së tyre dhe depozitohet në bankë në emër të tyre, me kusht që depozituesi rifiton të drejtën e përdorimit të saj në rastin kur e mbyll veprimtarinë e vet me anë të likuidimit. Përjashtimisht, depozita e paaftësisë paguese mund të përdoret me urdhër të Gjykatës së Falimentimit, në fazën e likuidimit të procedurës së falimentimit. Projektligji ka edhe dispozita tranzitore për subjektet që janë të treg pa u rrezikuar nga falimentimi ose për subjekte që janë në prag të këtij procesi apo në procedurat e falimentimit. Veç kësaj, drafti parashikon një mundësi që të parashikohet një fond publik që do të menaxhohet nga AMF-ja dhe që synon të shmangë bllokimin e procedurave për shkak të dorëheqjes së administratorit apo të refuzimit të detyrës prej tij. Parashikimi i riskut të falimentimit që në zanafillën e një aktiviteti tregtar nuk e step atë, por e bën më realist. Meqenëse, nga pikëpamja ekonomike, një biznesi i duhet të paktën tre vjet të kuptojë nëse po operon me sukses apo jo, projektligji i jep mundësi subjekteve tregtare që të shohin se nëse kurba e fitimit të tyre vjen drejt shifrave pozitive pas tre vitesh, ata në këtë moment të krijojnë depozitën e sipërpërmendur. Në të kundërt, ata mund të kalojnë në likuidim kur konstatojnë se nuk janë të suksesshëm, pa e çuar gjendjen e tyre financiare drejt falimentimit.
Më të lexuarat








