Secondary Adv

Paga mesatare ne sektorin financiar u rrit me 12 per qind ne tremujorin e fundit 2023

Paga mesatare në sektorin financiar u rrit me pothuajse 12% në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

 

Sipas të dhënave nga INSTAT, paga mesatare bruto në grupin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit arriti në 148,597 lekë në muaj, shumë afër nivelit maksimal historik prej 149,091 lekësh që ishte regjistruar në tremujorin e dytë 2023.

 

Me bazë vjetore, rritje e pagës mesatare në sektorin financiar, ishte megjithatë, më e ulët, me 4.5% më shumë krahasuar me tremujorin e fundit 2022.

 

Megjithatë, tendencat më afatgjata dëshmojnë një rritje me ritme të shpejta të pagës mesatare në sektorin financiar. Që nga fundi i vitit 2020, paga mesatare mujore bruto në këtë sektor është rritur me pothuajse 30%.

 

Të dhënat paralele nga Banka e Shqipërisë tregojnë se shpenzimet e sektorit bankar për personelin u rritën për të katërtin vit radhazi vitin e kaluar.

 

Shpenzimet për personelin arritën vlerën e 15.7 miliardë lekëve, në rritje me afërsisht 21% krahasuar me një vit më parë. Rritja e shpenzimeve të personelit ka ardhur njëkohësisht nga zgjerimi i punësimit, por edhe nga rritja e pagave.

 

Statistikat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se në fund të vitit 2023 bankat raportonin 7024 të punësuar, në rritje me 4.3% krahasuar me një vit më parë.

 

Punësimi në sektorin bankar është rritur për të pestin vit radhazi dhe ka kaluar nivelin e mëparshëm më të lartë, që ishte regjistruar në vitin 2016.

 

Në atë periudhë, nisi cikli i shitblerjeve dhe i bashkimeve mes bankave tregtare, që solli shkurtimin e rreth vendeve të punës gjatë tre viteve në vazhdim.

 

Megjithë, ekspertët besojnë se efekt më të lartë në rritjen e shpenzimeve për personelin e ka dhënë rritja e pagave. Një tendencë e ngjashme po vërehet edhe në segmentet e tregut financiar jobankar dhe atij të sigurimeve.

 

Ekonomia shqiptare po përballet me vështirësi për forcë pune të specializuar dhe rrjedhimisht me rritje të kostos së punës. Kjo tendencë mund të shpjegohet me konkurrencën në rritje nga tregu i punës në Europë dhe emigracionin e lartë mes të rinjve, përfshi ata të arsimuar.

 

Në vitet e fundit, edhe sektori financiar po përballet me një trysni në rritje nga tregu i punës, sidomos në pozicionet e nivelit të ulët dhe të mesëm.

 

Lëvizjet e mëdha të stafit në këto pozicione dhe i kanë detyruar të rishikojnë në rritje pagat. Kjo trysni u nxit edhe më shumë nga rritja e fortë e inflacionit, në vitin 2022.

 

Rritja e pagave besohet se është mbështetur edhe nga performanca pozitive e sektorit dhe rritja e fitimeve gjatë viteve të fundit. Fitimi neto i sektorit bankar për vitin 2023 arriti vlerën e 28.5 miliardë lekëve, në rritje me 19.7% krahasuar me një vit më parë.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/paga-mesatare-ne-sektorin-financiar-u-rrit-me-12-ne-tremujorin-e-fundit-2023/


Më të lexuarat