Secondary Adv

Interesi per Shqiperine mbetet i larte, 60 per qind e paketave jane shitur

Shqipëria vijon të mbetet një ofertë tërheqëse për të huajt, të cilët vijnë të organizuar nga agjencitë ndërkombëtare.

 

Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, dhe njëkohësisht administrator i “Happy Tours”, raporton se të paktën 60% e paketave që janë marrë nëpërmjet kontratave me garanci janë shitur.

 

Pavarësisht rritjes së çmimit me 35% të paketave, për shkak të rritjes së kostove, z. Kasa vlerëson se kjo nuk ka sjellë pengesë.

 

Në këtë aspekt, sipas tij, ka shërbyer së pari amortizimi i rritjes nëpërmjet uljes së marzhit të fitimit nga agjencitë dhe së dyti, rritja e çmimeve nga vendet e tjera të rajonit për ofertat e tyre, duke e bërë sërish Shqipërinë konkurruese.

 

Si e parashikoni interesin turistik për Shqipërinë në vitin 2024, duke qenë se shifrat po duken optimiste që me janarin?

 

Ne presim që viti 2024 të ketë një rritje nga 30 deri në 40%. Mund të flas këtu për turizmin e organizuar, sepse kontratat me garanci kanë pasur një rritje të tillë në raport me vitin paraardhës.

 

Duket se edhe turizmi individual do të jetë në trend të mirë rritës. Këtë e mbështet edhe ecuria e janarit, kur kemi një rritje të të huajve që kanë hyrë në vendin tonë me rreth 30%.

 

Mendoj se në tërësi, ky vit do të jetë i mbarë për turizmin, duke iu referuar ecurisë së përgjithshme të sektorit në vitet e fundit. 

 

Nga bashkëpunimet që ju keni me agjencitë e huaja, si duket interesi që po tregojnë tregjet e tyre për Shqipërinë? Si kanë qenë shitjet e paketave te klientët e tyre?

 

Verën e shkuar, kur u nënshkruan kontratat me garanci me agjencitë e huaja, çmimet u rritën deri me 35%, për shkak se kostot janë rritur ndjeshëm. Menduam se do të kishte një lloj hezitimi, por në fakt nuk ka ndodhur dhe ecuria e shitjeve ka qenë e mirë.

 

Deri më tani, sipas asaj që na kanë raportuar, rezulton që 60% e kapacitetit të kontraktuar për Shqipërinë si kontrata garancie është shitur. Pjesa tjetër mendoj se ka ende kohë që të shitet dhe këto janë sinjale pozitive për sezonin.

 

Mendoj se Shqipëria është favorizuar në këtë rast nga fakti që është bërë një destinacion viral në rrjete sociale dhe në promovimin e mediave ndërkombëtare, ndërkohë që edhe vendet që konsiderohen konkurrente në rajonin tonë kanë rritur gjithashtu çmimet, duke e bërë Shqipërinë sërish një alternativë konkurruese.

 

Shtrenjtimi i paketave që përmendëm në fillim u bë më i pranueshëm pak nga ulja e marzhit të fitimit që bënë vetë agjencitë dhe pak nga rritja e vërejtur në tregjet e tjera.

 

Cilët janë disa nga tregjet kryesore të organizuara në vendin tonë për sezonin e ardhshëm dhe kur pritet të vijnë turistët e parë?

 

Tregjet kryesore të turistëve të organizuar vijojnë të mbeten ato të vitit të kaluar, ku kryesojnë polakët dhe më pas vijnë çekët, sllovakët, hungarezët. Është rritur numri i turistëve edhe nga tregu baltik.

 

Edhe turistët spanjollë dhe portugezë janë më të shumtë në numër këtë vit nëpërmjet kontratave me garanci. Të parët që nisin sezonin në Shqipëri janë turistët nga vendet baltike dhe polakët që ne i presim nga mesi i majit.

 

Ajo që vëmë re këtë vit është një shtrirje më e gjerë e turizmit të organizuar në Vlorë. Kuptohet se pjesa kryesore qëndron në Golem dhe Durrës, por vërehet një rritje e kontratave me garanci në Vlorë dhe në Sarandë.

 

Mundësitë për të zgjeruar turizmin e organizuar edhe në Velipojë apo Shëngjin janë të mira, por ajo që na kufizon është trafiku. Ndoshta me hapjen e akseve që lehtësojnë këtë ngarkesë, kjo do të bëhet më e thjeshtë.

 

Po turistët nordikë, që pak vite më parë ishin një grup me inertes me kontrata garancie, a vijojnë të jenë të pranishëm?

 

Grupi i nordikëve është i vogël, por nuk po mungon. Ata po vijnë nëpërmjet paketave “allotment”, pra sa vijnë, aq paguajnë dhe nuk janë me kontrata garancie. Në këtë formë, po vijnë edhe nga tregu gjerman që është i pranishëm me një numër të mirë turistësh.

 

Po kështu është edhe tregu zviceran. Kjo paketë turistike, edhe pse nuk është njëlloj si kontrata me garanci, sërish është një praktikë e mirë për turizmin tonë.

 

Si e shihni ndryshimin e ligjit për turizmin dhe çfarë efektesh pozitive mendoni se do të ketë?

 

Ndryshimet e fundit që u bënë në sektor zgjidhin disa aspekte, por jo të gjitha ato që kemi ngritur si shqetësim ne si grup interesi.

 

Për shembull, ne kemi kërkuar që të ketë vëmendje ndaj ndarjes së aktivitetit të operatorëve turistikë dhe agjencive. Janë disa kritere, që duhet të shtohen për operatorët turistikë, që kanë përgjegjësi të madhe dhe flitet për shuma të mëdha.

 

Shpesh në treg ka raste mashtrimi që krijojnë imazh dhe mosbesim te turisti ndaj duhet të vendoset një tarifë garancie. Kjo i jep besueshmëri dhe siguri klientit.

 

Ndoshta mund të përcaktohej një shifër fikse në ligj. Ne e kemi propozuar dhe nuk është marrë parasysh.

 

Kemi kërkuar gjithashtu që të ketë një Task Forcë që të monitorojë tregun, pasi ka informalitet dhe ai nuk duhet të dëmtojë operatorët e përgjegjshëm që sjellin një numër të madh turistësh dhe kanë peshë të konsiderueshme në sektor dhe ekonomi në tërësi.

 

Si ka qenë bashkëpunimi institucional në lidhje me turizmin dhe cilat janë disa nga aspektet më emergjente që duhet të fokusohemi para sezonit?

 

Kemi pasur bashkëpunim me institucionet, por kuptohet nevojat tona janë shumë më të mëdha se mundësitë. Infrastruktura ka nevojë për alokim fondesh. Gjithsesi, në disa projekte të rëndësishme që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sezonin turistik po ecet.

 

Na është premtuar që disa akse do të hapen para sezonit që të lehtësohet trafiku. Duhet të kemi parasysh se, përveç mjeteve brenda vendit, vitin e shkuar kanë qarkulluar në Shqipëri 2.7 milionë targa të huaja.

 

Këtë vit, ky fluks mund të jetë edhe më i lartë dhe as nuk dua ta mendoj çfarë kaosi mund të ketë. Ne kemi kërkuar që të ketë përshpejtim të hapjes së disa akseve ku bën pjesë Tuneli i Llogorasë apo Thumanë-Kashar, që të bëhet lidhja me Rinasin.

 

Ky aks me trafik të jashtëzakonshëm mbetet arsyeja kryesore pse nuk është hapur Shëngjini për turizëm të organizuar.

 

Në Golem, nga ana tjetër, trafiku rëndohet në sezon, por shpresojmë që ndoshta të hapet segmenti i dytë në krahun sipër paralel me rrugën dytësore në Golem, sipas logjikës së një drejtimi për të shfryrë trafikun që bëhet në këtë zonë.

 

Gjithsesi, në segmentin e rrugës dytësore duhet të bëhen ndërhyrje në disa pika për t’u bërë i kalueshëm nga autobusët, pasi në kushtet aktuale është e vështirë./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/interesi-per-shqiperine-mbetet-i-larte-60-e-paketave-jane-shitur-2/


Më të lexuarat