Secondary Adv

Strehimi social, strategjia e re 7. 3 miliard leke per te rritur numrin e perfituesve

Për herë të parë Shqipëria ka një strategji aftgjatë për strehimin social, si një nga problemet që ka shoqëruar në vazhdimësi grupet në pamundësi ekonomike.


Dokumenti i hartuar nga qeveria tashmë ka hyrë në fuqi dhe përmes tij parashikohet që të identifikohet qartë oferta dhe kërkesa, gjë e cila nuk ka ndodhur deri më sot.Strategjia e re parashikon që të riorientohen programet sociale drejt grupeve në pozita të pafavorizuara, duke synuar ata që janë përjashtuar nga kjo e drejtë. Deri tani një pjesë e konsiderueshme e buxhetit për strehim social është alokuar për programin e banesave me kosto të ulët e që mund të aksesohet nga shtresa e mesme. Në strategji thuhet se ndryshimi i këtij fenomeni kërkon vullnet politik dhe ndërgjegjësim të autoriteteve vendore për të alokuar të burime në mbështetje të këtyre programeve. Një tjetër sfidë është vënia në funksion e programit për pajisjen me truall me infrastrukturë që deri më sot nuk është zbatuar.


Me zbatimin e plotë të strategjisë 9-vjeçare do të synohet përmirësimi i kushteve të jetesës për 25,000 familje shqiptare.
Kostoja e përgjithshme parashikohet në 7.3 miliardë lekë, nga të cilat rreth 78% do të mbulohen nga buxheti i shtetit.Në Shqipëri mungojnë të dhënat e sakta që do të hidhnin dritë mbi nevojën që ka vendi për strehim social. Disa studime të realizuara nga institucionet ndërkombëtare, si OSBE apo PNUD kanë nxjerrë në pah një sërë problemesh.


Sipas analizave të realizuara prej tyre njësitë vendore kanë raportuar si problem kryesor mungesën e fondeve për të zgjeruar këto programe. Ato nuk arrijnë të sigurojnë asnjëherë fonde të mjaftueshme dhe kanë kapacitete të dobëta fiskale, s’kanë truall ku të ndërtojnë, nuk kanë një plan strehimi, procedurat bankare janë të gjata dhe të kushtueshme. Më të varfërit nuk arrijnë dot që të plotësojnë kriteret për të përfituar nga këto programe, nuk kanë besim te autoritetet vendore dhe nuk dinë sesi të aplikojnë duke mos pasur ndihmë ligjore.Problematike për çështjen e strehimit mbetet edhe mospërputhja midis kërkesës dhe ofertës sa i takon vendndodhjes, që nënkupton se banesat nuk janë të gatshme aty ku nevojiten.


Strategjia 9 vjeçare që ka hyrë në fuqi propozon dy drejtime të ndryshme për strehimin social, nga njëra anë ato do të ofrohen pët familjet që nuk mund të përballojnë dot çmimet e tregut për shkak të kushteve të renda social-ekonomike dhe nga ana tjetër do të prezantohen programe me kredi të përballueshme hipotekore që mund të merren përmes Enit Kombëtar të Banesave.Që nga viti 2005, për të gjitha programet sociale numri i kërkuesve është llogaritur në mbi 35,000, ku rreth 65% e përbënin personat që kanë kërkuar banesa me kosto të ulët, ndërsa rreth 31% ata që dëshironin banesa me qira.
Bashkitë me numrin më të madh të kërkuesve janë Tirana, Elbasani, Korça, Durrësi, Fieri etj.


Në total që nga viti 2005 kanë arritur të përfitojnë mbi 5,000 kërkues.
Të dhënat tregojnë se përqindja më e lartë e përfituesve i përket grupeve të çifteve të reja me rreth 40%, ndërkohë që më i ulëti i përket kryefamiljareve femra, grupeve të jetimëve, egjiptianëve etj.Studimet tregojnë se programet e strehimit social tërheqin familjet me të ardhura mesatare 6-8 herë më të larta se kufiri i varfërisë, arsyeja është se programet e banesave me kosto të ulët nuk janë të përballueshme nga të varfërit.


Më të lexuarat