Secondary Adv

Kosove, ndryshon cmimi i energjise elektrike ne fund te marsit

Tarifat e energjisë elektrike në Kosovë së shpejti pritet të jenë të reja.

 

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike ka bërë me dije se në fund të muajit mars ose në fillim të muajit prill pritet që të hyjnë në fuqi tarifat e reja për energjinë elektrike në Kosovë.

 

Nga fundi i muajit mars apo fillimi i muajit prill, Zyra e Rregullatorit për Energji ka paralajmërua së çmimi i rrymës pritet të ndryshojë.

 

Por nga ZRRE nuk kanë treguar nëse këto tarifa do të jenë më të larta apo më të ulëta.

 

“Zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar vlerësimin fillestar lidhur me të Hyrat e Lejuara Maksimale të ndërmarrjeve të rregulluara.

 

Aktualisht, ZRRE është në proces të analizimit dhe shqyrtimit të komenteve të dërguara nga palët e interesuara, pas shqyrtimit dhe analizimit të tyre, planifikohet që nga fundi i këtij muaji të merret vendimi për të hyra maksimale.

 

Ndërsa propozimi për tarifa behet nga ndërmarrjet e rregulluara konform të hyrave të aprovuara, vendimi për te cilat pritet të merret në fund të muajit mars ose në fillim të muajit prill”.

 

Kurse nga Korporata Energjetike e Kosovës, i kanë dërguar kërkesë ZRRE-së që çmimi i rrymës të cilën e shet të rritet.

 

“KEK ka dërguar kërkesën për rishikim të çmimeve tek KESCO/KEDS, propozimi I KEK për çmimet e reja ka qenë 31.50€ për KESCO dhe 39.10€ për KEDS.

 

Megjithatë, KEK nuk ka informata që është aprovuar rritja e çmimit sipas kërkesës tone, për më tepër gjatë shqyrtimit tarifor nga ZRRE bazë për kalkulimin e të hyrave për KESCO/KEDS është marrë çmimi aktual me të cilin furnizohen”, ka thënë Skënder Bucolli, zëdhënës në KEK.

 

Për herë të fundit, tarifat e energjisë elektrike ishin rritur për 15.4% me 30 mars të vitit të kaluar.

 

Me termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, Kosova nuk arrin t’i plotësojë nevojat e mbi 1.7 milion banorëve të saj me rrymë, andaj edhe importon nga bursat e huaja.

 

Arsye për kapacitetet jo të kënaqshme thuhet se është vjetërsia e dy termocentraleve.

 

Sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Kosova importoi vitin e kaluar mbi 750 mijë megavate energji elektrike.

 

Vitin e kaluar, çmimi mestar i rrymës për kategorinë e konsumatorëve familjarë në Kosovë shkoi në 6.14 euro për kilovat – nga 5.60 euro sa ishte në vitin 2021.

 

Ndërsa, për konsumatorët jofamiljarë, çmimi mesatar i rrymës në vitin 2021 ishte 8.39 euro, për të shkuar në 9.27 euro në vitin 2022.

 

Në prill të këtij viti, çmimi u rrit sërish – për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

 

Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/ne-kosove-ne-fund-te-marsit-cmimet-e-energjise-elektrike-do-te-ndryshojne/)


Më të lexuarat