Secondary Adv

Investimet e huaja arriten rekord te ri historik ne 2023

Investimet e Huaja Direkte arritën një rekord të ri historik për vitin 2023.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ato shënuan vlerën e 1.49 miliardë eurove, në rritje me 8.7% krahasuar me një vit më parë.

 

Megjithatë, rritja ishte ndjeshëm më e ngadalatë krahasuar me nivelin prej 33% të vitit 2022.

 

Edhe tremujori i fundit i vitit 2023 shënoi një vlerë rekord për sa i takon flukseve tremujore të investimeve. Për tremujorin e katërt të vitit, investimet e huaja direkte u vlerësuan nga Banka e Shqipërisë në 402 milionë euro, me rritje vjetore prej 3.6%.

 

Injektimi i kapitalit të ri arriti në 191 milionë euro, me rritje vjetore prej 4%. Ndërkohë që kategoria e fitimit të riinvestuar u zgjerua me 13% në terma vjetorë dhe arriti vlerën e 226 milionë eurove

 

Pikërisht fitimet e riinvestuara kanë qenë faktori më përcaktues në shifrat rekord të investimeve të huaja gjatë vitit të kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, për të gjithë vitin 2022 fitimi i riinvestuar arriti në 803 milionë euro osa pothuajse sa 54% të totalit të investimeve të huaja direkte.

 

Në vitet e fundit, fitimet e riinvestuara kanë kaluar në vlerë flukset e reja të investimeve të huaja direkte. Megjithatë, rritja e fitimeve të riinvestuara po ndikohet pjesërisht edhe nga ecuria e kursit të këmbimit.

 

Ndërkohë që investimet e reja të huaja në përgjithësi vijnë në valutë, fitimet e riinvestuara të kompanive të huaja janë shifra të raportuara në Lekë, që konvertohen në Euro, që është edhe monedha në të cilin raportohet për qëllime statistikash Bilanci i Pagesave.

 

Rritja e ndjeshme e peshës së fitimeve të riinvestuara në strukturën e investimeve të huaja direkte mund të shpjegohet pjesërisht edhe me forcimin e Lekut në kursin e këmbimit.

 

Në këtë mënyrë, forcimi i Lekut duket se ka krijuar një rreth vicioz, duke ndikuar statistikisht edhe në rritjen e vlerave të investimeve të huaja.

 

Edhe këtë vit, prurjet valutore nga investimet e huaja e kanë tejkaluare gjerësisht vlerën e deficitit të llogarisë korrente.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të katërt 2023, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, në masën 26%,

 

sektorin e ndërmjetësimit financiar, në masën 17%, në sektorin e hidrokarbureve, në masën 16%, në sektorin e energjitikës, në masën 10%, si dhe komunikacionit, në masën 4%.

 

Këto të dhëna konfirmojnë peshën e lartë që ka fituar sektori i pasurive të paluajtshme në strukturën e investimeve të huaja.

 

Kërkesa nga jorezidentët vlerësohet se ka mbështetur në një masë të madhe rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme, veçanërsisht në zonat bregdetare.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/investimet-e-huaja-arrijne-rekord-te-ri-ne-2023-i-afrohen-vleres-se-1-5-miliarde-eurove/)


Më të lexuarat