Remitancat arriten 929 mln euro ne 2023, vlera me e larte prej 2008
Banka e Shqipërisë raporton se vjet janë regjistruar vlera rekord për remitancat.
Emigrantët sollën në vend 929 milionë euro, vlera më e lartë që prej vitit 2008.
Shtimi i numrit të emigrantëve, përtej efektit negativ që mund të sjellë në shumë aspekte në vend, ku bizneset kërkojnë punonjës e profesionistë, nga ana tjetër po ndikon pozitivisht në shtimin e vlerës së remitancave.
Përgjatë vitit të kaluar dërgesat e emigrantëve kanë arritur vlera rekord, që prej vitit 2008 kur janë raportimet e para nga Banka e Shqipërisë mbi këtë fenomen.
Në total vjet emigrantët sollën në vend 929 milionë euro duke u rritur me 95 milionë euro në raport me vitin 2022.
Por nga ana tjetër vlera e remitancave mund të jetë më e lartë, pasi ka emigrantë që zgjedhin që paratë për familjarët e tyre ti sjellin cash dhe jo nëpërmjet kanaleve formale. Sidomos në periudhën e fundvitit, kur kthehen për të festuar në vend.
“Gjatë periudhës, është vërejtur rritje e dërgesave në formën e prurjeve në cash, atribut i ardhjes së emigrantëve gjatë periudhës së fundvitit”, thuhet në raportin e BSH.
Sipas Bankës Botërore remitancat janë jetike për mijëra familje, dhe ato vijnë kryesisht nga Greqia, Italia, Gjermania, Zvicra dhe ShBA. Gjatë periudhës së pandemisë, dhe më pas kur vendi u përfshi nga kriza e çmimeve, remitancat kanë kontribuar pozitivisht në përballimin e kostove të jetesës për familjarët e tyre.
Në 1 dekadë 2013-2023, emigrantët kanë sjellë në vend 7.5 miliardë euro për familjarët e tyre./Burimi: Shqiptarja.com