Secondary Adv

Ne qershor rishikohet tatimi mbi pagat, synohet lehtesimi per shtresat e mesme

Tatimi mbi pagat do të ndryshojë në qershor të këtij viti.

 

Pa dhënë shumë detaje Ministri i Financave Ervin Mete tha se synohet të rritet pragu i pagave që paguajnë tatim të lartë.

 

"Nisur nga performanca shumë e mirë e të ardhurave, parashikojmë që si një masë lehtësuese për të punësuarit, në sektorin publik dhe privat, duke nisur nga muaji korrik, të rrisim kufirin mbi të cilin aplikohet shkalla e sipërme e tatimit mbi pagën", tha Mete.

 

Aktualisht tatim 23% paguajnë ata persona që kanë pagë mujore mbi 200 mijë lekë, dhe me këtë ndryshim pritet që ky tatim të aplikohet për paga më të larta. Tatimi 23% aktualisht paguhet nga rreth 23 mijë persona.

 

Politika fiskale ishte në fokus të Forumit të CEO-ve të Dhomës Amerikane të Tregtisë, pasi ekspertja Alketa Uruçi solli në vëmendje problemet e vjetra të pazgjidhura siç është informaliteti.

 

“Çështja e parë që është ngritur nga anëtarët e dhomës, prej vitesh, është informaliteti në ekonomi dhe masat që duhet të ndërmarrë qeveria për zgjerimin e bazës së tatueshme.

 

As ligji për tatimin mbi të ardhurat nuk i mbylli shtigjet, pasi kemi diferencime për sektorë të ndryshëm, e disa të tjerë janë të përjashtuar deri në vitin 2029, u shpreh Uruçi.

 

Ndërkohë presidenti i dhomës Grant Van Cleve, theksoi se duhet të rritet fuqia punëtore e kualifikuar. “Shqipëria ka potenciale për të zhvilluar në turizëm apo në teknologji inovacioni por ka probleme me fuqinë punëtore të kualifikuar, dhe për këtë duhet të gjendet një zgjidhje”, tha Presidenti i Dhomës.

 

Në forum u vlerësua se ecuria ekonomike e vendit mbetet pozitive, duke regjistruar vlera të larta investimesh të huaja dhe shifra rekord edhe të ardhurash nga turizmi.

 

Pavarësisht se ‘erëra të mira’ po fryjnë për Shqipërinë ende nuk mjaftojnë tha presidenti i dhomës. “Erërat po fryjnë në drejtimin tuaj, duke ju sjellë rritje ekonomike.

 

Por këto gjëra të mira mund të jenë të mjaftueshme për të qenë mirë, dhe jo arrirë atje ku duhet”, tha presidenti./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat