
Ja zgjidhja per pallatet qe nuk kane perfunduar prej 10 vitesh
Firmat ndërtuese që kanë pallatet, apo objektet që kanë mbi 10 vite pa u përfunduar do të detyrojnë të realizojnë punimet, ose do të kalojnë në procedura ndëshkuese. Në ligjin e ri për planin e zhvillimit jepen dy zgjidhje, e para detyrimi i kompanive për të realizuar punimet dhe e dyta ajo e prishjes së objektit dhe kthimit në gjendjen fillestare.
Ndërsa brenda gjashtë muajve qeveria do të miratojë aktet nënligjore për hapat konkret. Gjithsesi firmat që shkelin afatet do të përballen dhe me gjobat që shkojnë 100 mijë deri në 500 mijë lekë madje deri në heqjen për 5 vite të licencës.
Hipotekimi
Në ligjin e përcaktohet dhe zgjidhja e ndërtimeve me leje që kanë mbetur të papërfunduar prej vitesh. Në ligj thuhet se deri në 10 vite mund të jetë toleranca më e madhe për zhvillimin e një leje ndërtimi. “Për punimet e filluara prej më shumë se dhjetë vjetësh dhe ende të papërfunduara, sipas projektit të miratuar, autoriteti përgjegjës për miratimin e lejes së ndërtimit përcakton mënyrën e ndërtimit të detyruar ose vendos prishjen apo konfiskimin e ndërtimit”, thuhet në ligj.
Në këtë mënyrë duket se do ti jepet fund abuzimit të firmave të ndërtimit të cilat e shtyjnë në pafundësi mbylljen e punimeve, apo duke e braktisur objektin si dhe nisjen e punimeve për pallate të tjera. Po ashtu kërkohet dhe dhënia e një garancie 10 vjeçare për blerësin ose blerësit dhe me efekt nga data e përfundimit të punimeve, “që mbulon dëmet e ndërtesës, përfshirë dëmet ndaj të tretëve, që rrjedhin kur, për shkak të tokës ose për defekt të ndërtimit, ndërtimi shembet tërësisht ose pjesërisht, ose paraqet rrezik të dukshëm shembjeje ose defekte të tjera të rënda, që shfaqen pas lidhjes së kontratës së kalimit të pronësisë”
Afatet
Ligji i ri përcakton se “afati për fillimin e punimeve nuk mund të jetë më i gjatë se 1 vit nga data e miratimit të lejes së ndërtimit”. Ndërkohë që përfundimi do të varet nga kalendari i punimeve të përcaktuara në leje. Gjithsesi “shtyrja e afatit të përfundimit të punimeve dhe ndryshimi i subjektit zbatues të përcaktuar në lejen e ndërtimit kryhen nga autoriteti që ka miratuar lejen, me kërkesë të subjektit të pajisur me leje ndërtimi” thuhet në vendim. Por se shtyrja e afatit të përfundimit të punimeve bëhet vetëm një herë, për një periudhë jo më të gjatë se afati fillestar i përcaktuar në lejen e ndërtimit.
Kërkesa për shtyrjen e afatit parashtron arsyet për të cilat nuk ka qenë i mundur përfundimi i punimeve. Në fund të procesit të zhvillimit, autoriteti përgjegjës i planifikimit lëshon certifikatën e përdorimit të objektit, që vërteton përfundimin e punimeve, në përputhje me kushtet e lejes së ndërtimit ose deklaratës paraprake për kryerje punimesh, si dhe zbatimin e kritereve të dokumenteve të planifikimit dhe të kontrollit të zhvillimit.
Ligji i ri për planifikimin e territorit hyn ne fuqi ne 1 tetor
Ligji i ri për planifikimin e territorit merr fuqi ligjore nga data 1 tetor dhe parashikon rregulla të detajuara mbi planet vendore dhe kombëtare. Ndër të tjera, në ligj ashpërsohet kontrolli dhe masat ndëshkuese ndaj abuzimeve me territorin ndërsa rritet transparenca me komunitetet.
Përsa i përket lejeve të ndërtimit, ligji i ri që vjen pas “moratoriumit” të vendosur nga Këshilli Kombëtar i Territorit, parashikon se aplikimet duhet të bëhen përmes portalit të Regjistrit të Integruar të Territorit. Në ligj unifikohen procedurat për llojet e ndërtimeve, çka pritet të ndikojë pozitivisht në shpejtësinë e procesit të dhënies së lejeve. Por ndryshe nga më parë, qytetarët dhe bizneset e sektorit duhet të marrin leje për çfarëdolloj punimi që duan të kryejnë në objekte.
Përndryshe, ligji përcakton penalitete që arrijnë variojnë nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë. Përsa i përket sektorit të ndërtimit, ligji përcakton detyrime të qarta për ndërtuesit, të cilët në rast se abuzojnë me lejen e ndërtimit apo ndërtojnë pa leje, penalizohen jo vetëm me gjoba të larta por edhe me heqje licence për 5 vite. Por përveç penaliteteve financiare, ndërtimi pa leje sjell edhe kallëzimin penal në organet përkatëse, për faktin se sipas ndryshimeve të fundit në kodi, ndërtimi pa leje përbën vepër penale.
Në ligjin e ri për planin e zhvillimit jepen dy zgjidhje:
-E para detyrimi i kompanive për të realizuar punimet
-E dyta ajo e prishjes së objektit dhe kthimit në gjendjen fillestare.
Nga ana tjetër, ligji përcakton se për rastet kur ndërtimi është bërë pa leje dhe ka vendim për prishjen e tij, do të jetë kundravajtësi ai i cili do të paguajë edhe për këtë proces. E përsa i përket taksës së ndikimit në infrastrukturëm që ka rezultuar të jetë një taksë e vështirë për t’u mbledhur, ligji i ri parashikon se ajo duhet të paguhet përpara dorëzimit të dokumentit të lejes së ndërtimit nga autoriteti përgjegjës.
Ndëshkim dhe mbikqyrësit të punimeve në rast abuzimi
Për të realizuar punime cilësore si dhe për të mos lejuar abuzime nga zbatuesit e projektit qeveria duket se ka dhënë një tjetër formë për garantimin, atë të ndëshkimit si të sipërmarrësit ashtu dhe të zbatuesve të projektit në rast abuzimi. Përgjegjës për zbatimin e lejes do të cilësohen “pronari i ndërtimit, sipërmarrësi, mbikëqyrësi dhe zbatuesi i punimeve”. Por po ashtu saktësohet se lejet e ndërtimit të miratuara në kundërshtim me ligjin dhe dokumentet e planifikimit në fuqi janë absolutisht të pavlefshme.
Në ligjin e ri, të botuar në Fletoren Zyrtare, janë sanksionuar tashmë dhe gjobat përkatëse si për shkeljen e afateve, ashtu dhe për tejkalimin e lejes. Ndërkohë që me një ndërtim të paligjshme do të veprohet jo vetëm me shembjen e objektit apo konfiskimin e tij por dhe me vendosjen e një gjobe. Gjithsesi, dhënia e lejeve të reja, në zbatim të këtij ligji, do të nisë vetëm pas zgjedhjeve vendore të vitit 2015.
Më të lexuarat









