Secondary Adv

Nga 3 prilli llogari bankare falas per pensionistet e personat me ndihme sociale

Nga 3 prilli, pensionistët, personat me ndihmë ekonomike, përfituesit e pagesës së papunësisë, invalidët e punës, apo jetimët, do mund të hapin një llogari me kosto zero.

 

Ligji i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar “Për Llogarinë e Pagesave me Shërbime Bazike”, parashikon që këto kategori të mund të kenë një llogari dhe të pajisen me një kartë bankare, përmes së cilës mund të tërheqin para, të bëjnë pagesa apo deri në 5 transferta bankare brenda vendit me tarifa zero.

 

Kjo llogari do të jetë funksionale vetëm në monedhën vendase (lekë), dhe do të shërbejë edhe për të marrë pensionin apo ndihmën ekonomike që kategoritë përfituese marrin.

 

Pensionet pritet të kalojnë nga marrja dorazi në postë, përmes hedhjes direkte në llogarinë bankare. Por ende nuk ka një datë se kur do të ndodhë ky ndryshim pasi fillimisht duhet të bëhet një udhëzim i përbashkët midis disa institucioneve.

 

(Ministria e Ekonomisë, ajo e Financave, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Posta dhe Banka e Shqipërisë). Kryeministri Edi Rama ju ka vënë ultimatum bankave, që nga ky vit të jetë bërë fakt që pensionistët ta tërhiqen pagesën mujore në bankë.

 

Sipas ligjit të ri të botuar në Fletoren Zyrtare, bankat tregtare në vend janë të detyruara të hapin llogarinë pa pagesë, por mund të refuzojnë vetëm kur rezulton se po shkelet ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, apo në rastet kur konsumatori ka një llogari tjetër ekzistuese në një bankë tjetër në Shqipëri, e cila e lejon atë të përdorë shërbimet bazike.

 

Në rast të refuzimit të padrejtë, qytetarët mund të ankohen pranë Bankës së Shqipërisë, e cila mund të kërkojë nga bankat e nivelit të dytë, hapjen e kësaj llogarie brenda 15 ditëve pune (pa fundjavën).

 

Nëse ende banka nuk hap llogarinë, ligji parashikon gjoba nga 50-250 mijë lekë. Po ashtu bankat gjobiten edhe nëse kategorive të përfshira në skemën e tarifave zero për shërbimet bazike, i refuzohen transfertat apo i vendosen tarifa.

 

Një nga objektivat e këtij ligji ka të bëjë me rritjen e përfshirjes financiare të popullsisë, duke krijuar lehtësira për kategori konsumatorësh, të cilët e kanë të vështirë apo të pamundur hapjen dhe mbajtjen e një llogarie pagesash në banka, për shkak të kostove që ajo mbart.

 

Por po ashtu shtimi i numrit të llogarive bankare, dhe përdorimi i kartave si mjet pagese, vlerësohet edhe si mundësi për të ulur përdorimin e parave cash./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat