Strategjia afatmesme e zhvillimit te Bankes se Shqiperise per periudhen 2016-2018
Strategjia afatmesme e zhvillimit të Bankës së Shqipërisë për periudhën 2016- 2018, do te vijoje implementimin e strategjisë së mëparshme 2013–2015, duke parashikuar objektivat kryesorë për periudhën trevjeçare në vazhdim.
BSH-ja ka bere publike dokumentin, ku për herë të parë deklarohen qartësisht misioni, vizioni dhe vlerat e Bankës së Shqipërisë, që shërbejnë si pikënisje e strategjisë. Misioni shpreh në mënyrë koncize arsyen e ekzistencës së Bankës Qendrore dhe qëllimin bazë drejt të cilit orientohen veprimtaritë e saj. Misioni i saj përshkruan edhe mënyrën si BSH-ja pret të përmbushë detyrat e veta në fushat e politikës monetare, stabilitetit financiar, rezervës valutore, qarkullimit të monedhës, mbikëqyrjes bankare dhe sistemit të pagesave.
Vizioni i saj qartëson objektivat e BSH-së për të ardhmen. Këto objektiva synojnë forcimin e mirëqeverisjes së institucionit, me qëllim rritjen e besimit të publikut. Kjo do të realizohet përmes: (i) forcimit të pavarësisë në përmbushjen e misionit dhe objektivave ligjorë; (ii) rritjes së llogaridhënies përpara Kuvendit për zbatimin e detyrave kryesore; dhe (iii) rritjes së transparencës mbi veprimtarinë e BSH-së përmes një komunikimi të hapur dhe të qartë me publikun. BSH-ja promovon: (i) integritetin dhe etikën; (ii) kompetencën dhe profesionalizmin; (iii) efektivitetin dhe efikasitetin; si dhe (iv) punën në grup e inovacionin. Për vitin 2016, objektivat kryesorë të BSH-së janë: a) Ruajtja e stabilitetit monetar.
Politika monetare e BSH-së vazhdon të orientohet drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve. Për të kontrolluar mbajtjen e inflacionit rreth nivelit 3%, do të ndiqet regjimi i shënjestrimit të inflacionit, një regjim i luhatjes së lirë të kursit të këmbimit dhe një komunikim sa më transparent dhe gjithëpërfshirës i politikës monetare. Procesi i vendimmarrjes së politikës monetare do të mbështetet nga aktiviteti shkencor në fushën e kërkimeve ekonomike.