Secondary Adv

Depozitat ne valute bien ndjeshem ne shkurt, dobet edhe kursimet ne leke

Muaji shkurt nuk ka qenë i mbarë për kursimet e depozituara në sistemin bankar, si në monedhën vendase ashtu dhe atë në valutë.

 

Ecuria negative është orientuar më shumë nga rënia e depozitave të bizneseve, por edhe individët nuk kanë arritur të shtojnë paratë e hequra mënjanë.

 

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në shkurt, stoku i depozitave në euro arriti në 7.27 miliardë euro, me një rënie prej 1.7% në krahasim me muajin e mëparshëm, ose 128 milionë euro më pak.

 

Kjo është tkurrja më e fortë e kursimeve në monedhën e përbashkët, të paktën që nga viti 2016, kur Banka e Shqipërisë i raporton të dhënat e detajuara në valutë.

 

Tendenca është krejt e kundërt në krahasim me muajt e mëparshëm, kur shtesa mujore ishte relativisht e lartë (shiko grafikun: Ndryshimi mujor i depozitave në euro (mln euro), janar 2016-shkurt 2024).

 

Tkurrja në shkurt erdhi nga rënia e depozitave të bizneseve (Korporata jofinanciare private), që u reduktuar me 157 milionë euro, ose 12.5% më pak.

 

Megjithatë, edhe individët nuk kanë arritur të rrisin depozitat pa afat, ndërsa ato me afat janë zgjeruar me ritme shumë më të ngadalta në krahasim me muajt e mëparshëm.

 

Për shkak të ecurisë së mirë deri në fund të 2023-s, depozitat në valutë janë rritur me 13.6% me bazë vjetore (shkurt 2024/shkurt 2023), ose 871 milionë euro më shumë.

 

Bien dhe kursimet në lekë

 

Edhe depozitat në valutë kanë shfaqur shenja ngadalësimi. Stoku i kursimeve në monedhën vendase ishte rreth 592 miliardë lekë, me një tkurrje prej 0.25% (1.5 miliardë lekë më pak) në krahasim me muajin e mëparshëm.

 

Ashtu si me valutën, ndikimin e ka dhënë rënia e kursimeve të bizneseve, që u tkurrën me 6%, ose 6.4 miliardë lekë më pak. Muajt e mëparshëm kursimet e bizneseve kishin njohur një rritje të fortë.

 

Edhe depozitat e individëve në lekë nuk dhanë shenja rritjeje, pavarësisht se cikli i interesave është në rritje. Kthimet më të favorshme në letrat me vlerë të qeverisë duket se po i orientojnë individët drejt tregut të bonove e obligacioneve.

 

Me bazë vjetore (shkurt 2024/shkurt 2023), kursimet në lekë janë rritur me 7.4%, ose 41 miliardë lekë më shumë.

 

Të raportuara në lekë, stoku total i kursimeve në vend arriti në 1.3 trilionë lekë në shkurt, me një tkurrje prej 0.4% në krahasim me muajin e mëparshëm. 45% e kursimeve janë në monedhën vendase dhe 55% në valutë, kryesisht euro.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/depozitat-ne-valute-bien-ndjeshem-ne-shkurt-ulen-me-128-milione-euro-dobet-edhe-kursimet-ne-leke/)


Më të lexuarat