32.4 mln euro per zgjerimin nga Kamza ne Sukth, nis rehabiliteti i Kombinat-Ndroq-Plepa
Brenda vitit pritet të fillojë zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur dy tendera për Lotin 1 dhe 2 për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës, me vlerë 32.4 milionë euro.
Tenderi për lotin e parë me vlerë 16.2 milionë euro, parashikon zgjerimin nga mbikalimi i Kamzës deri në Vorë, ndërsa tenderi i lotit të dytë po me vlerë rreth 16.2 milionë euro, nis nga Vora deri në Sukth.
Kurse për lotin e 3, nga Sukthi deri në Durrës, tek Nyja e Dajlanit, ende nuk ka një tender të hapur.
Kompanitë do të kenë afat deri më 8 maj për të dorëzuar ofertat e tyre, dhe pas lidhjes së kontratës ato do të kenë në dispozicion 24 muaj për të përfunduar, zgjerimin e autostradës,
e cila pritet të ketë gjerësi 35.1 metra 18.6 metra që është aktualisht, pasi do të shtohen nga dy korsi në secilën anë dhe shpejtësia e lejuar parashikohet deri në 140 km në orë.
Ndërsa kostoja totale e zgjerimit të autostradës prej 31 kilometra sipas ARRSH-së do të jetë 170 milionë euro.
Shpesh herë është përfolur se kjo autostradë do të bëhet me pagesë për automjetet, që u përforcua edhe më shumë nga një dokument i ARRSH-së për urat, ku flitet edhe për investimin e Urës së Beshirit, që është përgjatë aksit Ndroq-Plepa, ku citohej që autostrada do kishte një tarifë.
Por nga ARRSH-ja u mohua një gjë e tillë. Paralelisht me këto tendera, një tjetër garë është hapur për rehabilitimin e rrugës së vjetër, Kombinat-Ndroq-Plepa, me fond limit 7.3 milionë euro, dhe pas shpalljes së fituesit duhet të përfundojë projekti për 2 vite.
Kjo rrugë që në pjesë të caktuara të saj është e amortizuar, ka fluks automjetesh kryesisht në sezon veror, kur ngarkohet me trafik autostrada Tiranë-Durrës.