Kush i zoteron bankat ne Shqiperi, rreth 55 per qind me kapital nga vendet e BE dhe Turqia
Bankat luajnë një rol kritik në zhvillimin dhe funksionimin e ekonomisë së një vendi.
Roli kryesor i tyre të mbledhin depozita dhe të ofrojnë kredi.Ky funksion siguron likuiditetin në ekonominë vendase dhe inkurajon investimet. Por si është struktura e pronësisë së sistemit bankar në Shqipëri?
Sipas të dhënave të publikuara nga ‘Banka e Shqipërisë’ sektori bankar vazhdon të mbizotërohet nga filialet e grupeve të huaja bankare, me origjinë të kapitalit kryesisht nga BE-ja.
Ndërkohë që numërohen 11 banka që operojnë në vendin tonë, numër ky i pandryshuar nga viti i kaluar. ‘Scan Intel’ ka analizuar të dhënat e institucionit të Bankës së Shqipërisë për të kuptuar si ka ndryshuar përbërja e kapitalit të bankave ndër vite.
Që nga viti 2015 në vendin tonë kapitali privat i bankave kryesisht vjen nga vendet e BE dhe Turqia. Konkretisht ashtu si edhe në vitin e kaluar gjithsej në Shqipëri operojnë 6 banka, kapitali i të cilave është më shumë i huaj, ndër to 5 nga bankat kanë kapital nga vendet e BE dhe vetëm 1 prej tyre e ka shumicën e kapitalit nga Turqia.
Gjithashtu, të dhënat tregojnë se deri në vitin 2021 në vendin tonë kanë qenë prezente dhe kanë ofruar shërbime edhe banka të cilat e kanë patur shumicën e kapitalit të tyre nga Arabia Saudite.
Nga ana tjetër, krahas bankave me shumicë të kapitalit privat kemi edhe banka që kapitalin e tyre e kanë më shumë vendas, numri i këtyre të fundit është rritur nga viti në vit.
Në vitin 2015 operonin vetëm 3 banka me kapital vendas, në vitin 2019 operonin 4 banka dhe në vitin 2023 operonin gjithsej 5 banka.
Në fund të analizës konkludojmë se prania e një numri më të lartë të bankve që udhëhiqen nga kapitali i huaj krahasuar me bankat me kapital vendas tregon se investimet e huaja në sektorin bankar të Shqipërisë reflektojnë besimin e investitorëve të huaj në potencialin e rritjes dhe zhvillimit të ekonomisë së vendit./Burimi: SCAN