
Vjedhja ne Banke, ja shkeljet e Fullanit dhe Golemit
Menjëherë pas arrestimit të Guvernatorit dhe Kryeinspektores, Prokuroria e Përgjithshme dha më shumë detaje lidhur me hetimet, duke bërë me dije edhe shkeljet e Fullanit dhe Golemit.
Shkeljet e Fullanit
Adrian Fullani, në cilësinë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, i cili është njëkohësisht Kryetar i Këshillit Mbikqyrës dhe Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i saj, ka shkelur ligjin si më poshtë:
Së pari: Nuk i ka propozuar Këshillit Mbikqyrës, zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni. Duhet theksuar se ky funksion i munguar duhet të trajtonte drejtëpërdrejtë administrimin, mbikqyrjen dhe zbatimin e akteve proceduriale për përdorimin e mjeteve financiare.
Së dyti: Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Mbikqyrës, nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë, si detyrim që buron nga vendimi i Këshillit Mbikqyrës Nr.13 datë 22.02.2006. Pra me nisjen e funksionimit të departamentit të Emisionit, ku ka ndodhur edhe vjedhja, Këshilli Mbikqyrës duhej të propozonte e miratonte rregulloret përkatëse për funksionimin e këtij departamenti. Nga hetimi ka rezultuar se këto rregullore nuk kanë ekzistuar për një kohë shumë të gjatë, gjë e cila ka sjellë cënimin e parave.
Së treti: Në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikqyrës. Ndër to, mund të përmendet zbatimi i politikave të miratuara nga Këshilli Mbikqyrës, për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme për administrimin e procedurave ekzekutive, si dhe për qeverisjen e punëve administrative të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë.
Së katërti: Guvernatori është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë, përgjegjësi të cilën nga analiza e hetimit në kuadër të procedimit penal, rezulton që nuk e ka ushtruar.
Së pesti: Në kundërshtim me nenin 8 të rregullores “Mbi inventarizimin e vlerave materiale e monetare në Bankën e Shqipërisë”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në komisionet e ngritura për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë ka caktuady herë të njëjtin person. Ky person, aktualisht është person në hetim për “shpërdorim detyre” në kuadër të këtij procedimi penal.
Shkeljet e Golemit
Elivar Golemi, me funksion Inspektor i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë, ka shkelur ligjin si më poshtë:
Së pari: Nuk ka ushtruar auditim konform ligjit për Bankën e Shqipërisë dhe rregullores se departamentit të kontrollit, proces i cili është përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e Inspektorit të Përgjithshëm.
Së dyti: Ka vepruar në kundërshtim me kuadrin ligjor përkatës, sa i takon ushtrimit kontroll kontabël të brendshëm, si edhe kontrolle të brendshme periodike për administrimin dhe operacionet e Bankës së Shqipërisë, me qëllim që të sigurojnë mbarëvajtjen e zbatimit të ligjeve dhe të akteve nënligjore në Bankën e Shqipërisë. Duke mos realizuar kontrolle periodike, nuk i ka dorëzuar Këshillit Mbikqyrës raporte e rekomandime për llogaritë dhe regjistrat, si dhe për procedurat buxhetore kontabël dhe kontrollet e Bankës së Shqipërisë./Panorama
Më të lexuarat









