
Turistet shtrenjtojne serish bregdetin, rriten cmimet me 25 per qind
Çmimet maksimale të shitjes së apartamenteve në bregdet kanë arritur 4,000 euro/m², kurse të vilave, 2 milionë euro.
Për agjentët e shitjes, shtrenjtimi në Vlorë dhe Durrës vjen si pasojë e kërkesës reale, kryesisht nga të huaj. Në Sarandë, rritja e shpejtë e çmimeve po sjell rënie të shitjeve me 50%.
Për agjentët e pasurive të patundshme, tregu po shkon drejt një flluske, që mund të shfryhet në muajt e verës, në të kundërt rrezikohet kolapsi. Modeli i ri i prenotimit pa filluar ende nga puna projekti po zbatohet nga Durrësi deri në Sarandë.
Blerjet bëhen nga shqiptarë të diasporës dhe Kosovës dhe të huaj. Brenda vitit, çmimet e pronave në bregdet janë rritur mbi 25%. Në resortet që po zhvillohen në Palasë, Orikum dhe Sarandë, çmimi maksimal i shitjes së apartamenteve është 4,000 euro/m².
Në vijën e parë të ndërtimit të resorteve në Lungomare, apartamentet po shiten me çmim 3,500 euro/m². Krahasuar me vjet, çmimet e pronave të vijës së parë në Lungomare në Vlorë janë shtrenjtuar mbi 25%.
Çmimi i pasurive për rezidentët në Radhimë dhe Orikum brenda vitit ka shënuar rritje nga 67 deri në 88%, sipas të dhënave për çmimet e shitjes të agjencive së pasurive të paluajtshme.
Agjentët e pasurive të patundshme pohojnë se në vijën e parë në zonat bregdetare të Jugut nuk gjen pasuri të paluajtshme me çmim nën 3,000 euro/m².
Në Golem, çmimi maksimal i shitjes ka arritur 1,500 euro/m², kurse në Gjirin e Lalëzit, vlerat variojnë nga 2,400 deri në 3,300 euro/m².
Për të dyja këto zona, çmimet e apartamenteve mesatarisht janë rritur me 30% krahasuar me vjet, sipas Klajdi Memajdinit, menaxher i shitjeve në “Devinf Real Estate”.
Ai vlerëson se shtrenjtimi ka ardhur si pasojë e kërkesës reale apo faktorëve ekonomikë. Ndërsa çmimi i shitjes së vilave elitare në Gjirin e Lalëzit ka arritur në vlerën e 2 milionë eurove.
Në zonën e Shkëmbit të Kavajës, çmimet maksimale të shitjes kanë arritur në 1,800 euro/m² nga 1,500 euro/m² që ishin vjet (rritja 20%).
Sipas Eron Çumanit, drejtuesit të një prej agjencive më të vjetra në qytet “Saranda Property”, brenda qytetit të Sarandës, çmimet e apartamenteve variojnë nga 1,500 euro/m² për ndërtesat e ndërtuara para 10 vjetësh deri në 2,200-2,500 euro/m² te ndërtimet e reja me vendndodhje 500 deri në 1,000 metra larg detit.
Ndërsa për apartamentet e reja në proces ndërtimi në breg të detit, vija e parë, çmimet nisin mbi 3,000 euro/m². Por inflacioni i çmimeve në Sarandë ka reduktuar kërkesën për blerje.
Sezonin e kaluar, 90% e kërkesës u kryesua nga shtetasit italianë, gjermanë, zvicerane, çekë dhe polakë. Për këtë vit, sipas Eron Çumanit, kërkesa ka rënë me 50%. Sipas tij, tregu rezidencial në Sarandë po përjeton flluskë nga rritja abuzive e çmimeve të apartamenteve.
“Rritja e çmimeve ka tkurrur kërkesën për apartamentet e vogla 1+1 me vlerë totale deri në 100,000 euro. Për apartamentet me vlerë totale shitjeje mbi 100,000 euro, nga të interesuarit kërkohet të ketë mundësi financimi, por bankat nuk mundësojnë financim për shtetasit jorezidentë.
Për këtë arsye, kërkesa ka rënë me 50% krahasuar me vjet. E kam paralajmëruar edhe më parë. Situata ishte e pritshme. Për të parë ecurinë e kërkesës, do të presim edhe çeljen e sezonit turistik”.
Rritja e çmimeve të pronave në Sarandë, sipas z. Çumani, po shkaktohet nga spekulimet dhe investimet e tepruara, dhe nuk vjen nga kërkesa reale e njerëzve që dëshirojnë të jetojnë apo të përdorin pronat.
Ai thotë se nëse shfryrja e flluskës nuk ndodh deri në fund të muajit qershor, duke krijuar presion mbi çmimet dhe si pasojë uljen e tyre, tregu i pasurive të paluajtshme pritet të hyjë në kolaps.
“Çmimet e tregut janë anormale. Nuk ka blerës që të ketë mundësi të shpenzojë më tepër se 150,000 euro pa mbështetjen dhe financimin e bankave.
Nëse ndërtuesit nuk e ndalin ngritjen e pajustifikuar të çmimeve të apartamenteve dhe gjendja mbetet kjo e tanishmja deri në fund të muajit qershor, do të fillojë shfryrja e flluskës.
Shpresojmë që shoqëritë e mëdha ndërtuese, lokomotiva tërheqëse e tregut, do të reagojnë. Nëse nuk e kuptojnë rrezikun, tregu shumë shpejt do të shkojë në kolaps”, nënvizon z. Çumani.
Ndërsa administratori i “Century 21 Albania”, Jonian Antoni, vlerëson se rritja e çmimeve te disa zona është ndikuar nga projektet madhore në infrastrukturë, si ndërtimi i aeroportit të Vlorës dhe tuneli i Llogorasë, që synojnë të nxisin në të ardhmen zhvillimin e Jugut.
“Rritja e çmimeve është parë vetëm në disa zona, për shkak të zhvillimeve infrastrukturore. Për shembull, në Vlorë, sa më shumë afrohet hapja e aeroportit, aq më shume rritet interesi i blerjes dhe si rrjedhojë, çmimi.
Duhet saktësuar se çmimi nuk rritet nga viti në vit në asnjë vend të botës, por rritet apo ulet si pasojë e zhvillimeve pozitive apo negative në infrastrukturë, ekonomi dhe klimë biznesi”, thotë ai.
Z. Antoni nënvizon se dy vitet e fundit, 50% e blerësve të pronave në bregdet janë të huaj, të kryesuar nga shqiptarët e diasporës me pasaporta të huaja, polakët, italianët, çekët dhe hungarezët. Kërkesë të lartë për blerje ka edhe nga shqiptarët e Kosovës.
Qëllimi i blerjes është për shtëpi të dyta për 50% të individëve, por paralelisht edhe për t’i dhënë me qira gjatë sezonit. Ndërsa 25% e blerësve i blejnë pronat vetëm për t’i përdorur vetë dhe pjesa e mbetur për investim, sipas drejtuesit të agjencisë së pasurive të patundshme, “Century 21 Albania”.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/turistet-shtrenjtojne-serish-bregdetin-rriten-cmimet-me-25-por-shitjet-fillojne-te-bien/
Më të lexuarat








