Furnizimi me uje, hapet faza e dyte e tenderit per fshatrat ne Jug
Projekti për furnizimin me ujë të disa fshatrave në Jug, ku kryesisht janë dhënë leje për investime strategjike, ka kaluar në fazën e dytë.
Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve çeli këtë javë procedurën me objekt “Furnizimi me ujë i zonave bregdetare; Zonat e Investimit Strategjik Draleos, Drimadhes dhe Dhërmi të Bashkisë së Himarës, Faza II” me fond limit 372 milionë lekë, apo rreth 3.6 milionë euro.
Kjo procedurë është vijim i asaj të çelur në fund të vitit të shkuar, ku në fazën e parë, fondi limit i parashikuar në atë kohë ishte 743 milionë lekë, apo më shumë se 7 milionë euro.
Sipas dokumenteve që shoqërojnë projektin, në të përfshihet e gjithë zona e shpallur përmes Vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit Nr.2, Datë 16.10.2017 “Zonë e investimeve strategjike në vendet e rëndësisë kombëtare për zhvillimin e turizmit” Draleos-Drimadhes-Dhërmi, duke renditur edhe projektet nga Palasa deri në Dhërmi.
DokumentI bën gjithashtu një vlerësim të burimeve që kanë aktualisht këto zona. Më herët, të njëjtat përllogaritje tregonin se për furnizimin me ujë do të kërkohet një kapacitet jo më pak se 290 l/s për të përballuar fluksin e turistëve.
“Kërkesa është sigurimi i një sasie prej jo më pak se 290 l/s, e cila do të përdoret për furnizimin me ujë të komplekseve të reja turistike në fshatin Palasë me anë të një ujësjellësi të ri.
Sasia prej 290 l/s parashikohet për pikun e turistëve gjatë stinës së nxehtë të vitit, ku përveç një sasie prej 150 l/s për banorë ka nevojë për një sasi shumë më të madhe uji. Kjo sasi konsiston në mbipopullimin e zonës, sidomos përgjatë vijës bregdetare.
Një turist merr normalisht 30% më tepër ujë se zakonisht. Nëse shtojmë edhe sasinë e ujit për nevoja të shërbimeve publike turistike, pritshmërinë për zgjerimin, apo ndërtimin edhe të komplekseve të tjera turistike, atëherë norma për turist shkon mbi 250 l/s;
kështu sasia e nevojshme dhe e kërkuar prej 290 l/s është më se e argumentuar. Kemi parasysh edhe humbjet në rrjet të llogaritura jo më pak se 20-30%” thuhet në raportin teknik-hidrologjik të projektit.
Dokumenti nënvizonte se në burimin e “Izvorit” ka nevojë për ndërhyrje për sigurimin e sasisë prej 290 l/s. Ndaj shpreh se për këtë qëllim duhet ndërtimi i një kaptazhi te ri në pjesën jugore të kanalit grumbullues të rrjedhjeve të burimit.
Strategjikët e fshatrave turistikë
Ndër vite, qeveria ka dhënë përmes Komitetit të Investimeve Strategjike statusin për një sërë investimesh që, edhe pse të lakuara si komplekse turistike, në një pjesë të mirë të rasteve kanë përfunduar në komplekse vilash rezidenciale.
Përmes përfitimit të statusit investitorët fitojnë lehtësi si në përfitimin e tokës, ashtu edhe në lehtësimin e procedurave burokratike, por edhe investimeve që lidhen me infrastrukturën dhe aksesin në energji dhe ujë, diçka që është duke u aplikuar edhe në këtë rast.
/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/shteti-u-con-ujin-te-dera-investitoreve-strategjike-hapet-faza-e-dyte-e-tenderit-per-fshatrat-ne-jug/)