Punesimi i shqiptareve, rriten sherbimet dhe industria
Gjithnjë e më pak shqiptarë punojnë në bujqësi, ndërkohë që po rritet pesha e industrisë dhe shërbimeve në punësim.Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, bujqësia punëson gjithsej 39.5% të totalit për tremujorin e parë të këtij viti, ndërkohë që një vit më parë punësonte 41.1%.
Në vitet e fundit, pesha e bujqësisë në punësim po bie, çka ndoshta lidhet edhe me përmirësimin e cilësisë së statistikave të punësimit, që po japin një tablo disi më të besueshme për numrin e individëve që realisht punojnë në bujqësi, duke i diferencuar nga numri i atyre që thjesht jetojnë në fshat apo kanë një tokë në pronësi.
Punësimi është zhvendosur më shumë drejt aktiviteteve të biznesit dhe industria ka një rritje pozitive, si në segmentin e industrisë përpunuese, ashtu edhe të industrisë nxjerrëse. Industria përpunuese sjell 9.8% të punësimit total, nga 9% në tremujorin e parë të vitit të kaluar.Ndërkohë, industria nxjerrëse është rritur në 2.6%, nga 2.2% që ishte një vit më parë. Ndërkohë, pas bujqësisë, sektori që punëson numrin më të lartë të shqiptarëve ngelen shërbimet dhe kryesisht tregtia.
Në tremujorin e parë të këtij viti, shërbimet siguronin 24.2% të punësimit total, nga 22.6% një vit më parë. Në përmirësim është edhe roli i sektorit të ndërtimit, që punëson 7.2% të totalit, nga 6.7% një vit më parë, faktor ky që reflekton përmirësimin e gjendjes së sektorit, kryesisht falë ndërtimit të veprave inxhinierike. Ndërkohë, shërbimet jashtë tregut, që përfshijnë kryesisht administratën publike, arsimin dhe shëndetësinë, punësojnë 16.6% të totalit, nga 18% një vit më parë.