Anti-informaliteti tek biznesi i madh rrit te ardhurat e shtetit
Zhvendosja e aksionit antinformalitet nga bizneset e vogla në kontrollin e subjekteve të mëdha sipas modulit të riskut duket se po rezulton më efikas në rendimentin e mbledhjes së të ardhurave buxhetore.
Rezultatet e vërteta duket se po vijnë nga kontrollet mbi tatimpaguesit e TVSH-së dhe shembujt konkretë për rritjen e rendimentit fiskal në kategori i ka dhënë Fondi Monetar Ndërkombëtar.Tatimet regjistruan një të ardhur 1.1 miliardë lekësh, e barazvlefshme me 8 milionë euro në vetëm 8 raste nga 15 kontrolle të ushtruara, raporton FMN në analizën e fundit që i ka bërë ecurisë së marrëveshjes me Shqipërinë. Ndërsa verifikimi i kryer mbi 1358 tatimpagues të TVSH-së në mars 2016 ka dhënë një shtesë prej 2.9 miliardë lekësh ne te ardhura. Rajoni i Tiranës spikati, ku hulumtimi i 651 rasteve në bizneset e TVSH-së rriti me 1.5 miliardë lekë rezultatet e të ardhurave.
Këto kontrolle janë bërë në segmente të biznesit me risk të lartë duke u përqendruar në metodat moderne të menaxhimit të rrezikut, vëren FMN.Fondi këshillon që fushata kundër informalitetit duhet të shoqërohet me një monitorim të fuqishëm të performancës, duke u fokusuar në një numër relativisht të vogël të treguesve kyç. Por FMN sugjeron që, përsa i përket politikës së taksave, autoritetet duhet të lehtësojnë sistemin e taksave, në mënyrë që të reduktojnë kostot administrative të biznesit. Sondazhet tregojnë se shpenzimet e tilla janë relativisht të larta. Gjithashtu përjashtimet e mallrave të importit nga TVSH-ja duhet të reduktohen për të lehtësuar.
FMN sugjeron se fushata antiinformalitet duhet të përqendrohet më shumë në rezultate afatgjata, duke përdorur ekspertizë dhe profile të reja të rrezikut nga njësitë e përbashkëta të riskut tatimor dhe doganor.Këtë vërejtje duket se po merren parasysh. Ndryshimet në ligjin për procedurat, që po diskutohen me biznesin, parashikojnë në disa raste ulje të gjobave për bizneset, në raport me nivelet ku janë aktualisht dhe shumë më të ulëta se sanksionet, që u vendosën në fund të vitit të kaluar, por që u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese.
Konkretisht, për mosdeklarim të punonjësve për bizneset e regjistruar si subjekte të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe tatimit mbi fitimin, gjoba e parashikuar është 200 mijë lekë, nga 500 mijë lekë që është aktualisht. Për bizneset e tjera, gjoba është 50 mijë lekë, nga 50-250 mijë lekë, që është aktualisht dhe 500 mijë lekë që u vendos në nëntor të vitit të kaluar, por që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Kjo gjobë nuk aplikohet në rastin kur nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e aktivitetit të personit fizik të vetëpunësuar, evidentohen persona mbi 16 vjeç të cilët kategorizohen si persona të papaguar të familjes. Nëse biznesi fsheh pagën e punonjësit, atëherë dënohet me gjobë në masën 100% të detyrimit dhe kontributit të llogaritur, etj.