
Autoriteti i Konkurrences arketoi 15.5 mln leke nga gjobat ndaj bizneseve ne 2023
Autoriteti i Konkurrencës arkëtoi 15.5 milionë lekë nga gjobat e vendosura bizneseve vitin e kaluar.
Sipas informacionit, në raportin vjetor të këtij institucioni, të ardhurat nga gjobat e vendosura pësuan rënie me 41% krahasuar me një vit më parë. Sipas Autoritetit të Konkurrencës, gjatë vitit 2023 janë ekzekutuar plotësisht ose pjesërisht shtatë vendime të këtij institucioni.
Konkretisht, është ekzekutuar plotësisht vendimi me datë 19.11.2020, me debitor shoqërinë “Fufarma SHA”; është ekzekutuar plotësisht vendimi datë 09.11.2022, me debitor shoqërinë “Star Parking SHPK;
është ekzekutuar plotësisht vendimi me datë 23.07.2022, me debitor ndërmarrjen “Agro Blend SHPK”; është ekzekutuar plotësisht vendimi me datë 08.06.2023, me debitor ndërmarrjen “Gega Oil Group SHA;
është ekzekutuar pjesa e mbetur e vendimit, datë 18.12.2007, me debitor ndërmarrjen “Kirchberger Albania SHPK”; është ekzekutuar pjesërisht vendimi me datë 22.11.2018, me debitor ndërmarrjen “EKMA Albania SHPK”; është ekzekutuar pjesërisht me datë 22.01.2021, me debitor ndërmarrjen “New Medical Plus SHPK”.
Autoriteti i Konkurrencës është në pritje të kryerjes së veprimeve përmbarimore për shtatë urdhra ekzekutimi dhe në pritje të lëshimit të urdhrit të ekzekutimit nga ana e Gjykatës për 4 vendime të Komisionit të Konkurrencës, me 12 debitorë gjithsej.
Gjatë vitit 2023, Autoriteti i Konkurrencës mori tre vendime për sanksionim me gjobë, përkatësisht ndaj ndërmarrjeve Gega Oil, AIR BP Albania dhe ndaj grupit të ndërmarrjeve AGNA, Info-Telecom dhe Tirana International Development.
Në të gjitha rastet, gjobat kanë si arsye mosnjoftimin brenda afatit të përqendrimeve të realizuara nga këto ndërmarrje, ndërsa në rastin e AIR BP Albania edhe depozitim të të dhënave të paplota dhe të pasakta, lidhur me procedurën e përqendrimit.
Vendimet e Autoritetit të Konkurrencës janë tituj ekzekutivë, megjithatë subjekti i sanksionuar ka në çdo rast të drejtën t’i drejtohet gjykatës për ta kundërshtuar vendimin në themel ose për kërkuar pezullim të ekzekutimit të tij.
Shumë vonesa në ekzekutimin e vendimeve lidhen pikërisht me zgjatjen e proceseve gjyqësore. Zvarritja e gjatë ose edhe mosekzekutimi në praktikë i vendimeve ndikon negativisht në efikasitetin e punës së Autoritetit të Konkurrencës, si garant i funksionimit të konkurrencës së ndershme në tregje.
Siç shihet nga lista e vendimeve të ekzekutuara gjatë vitit të kaluar, mes tyre ka vendime që janë marrë qysh në vitin 2007.
Vetëm në dy vitet e fundit, 2022-2023, Autoriteti i Konkurrencës ka arritur të ekzekutojë vendimet për sanksione me gjobë ndaj subjekteve, pasi për tre vite radhazi, në periudhën 2019-2021, nuk kishte arritur të arkëtonte asnjë gjobë.
Për vitin 2023, Autoriteti i Konkurrencës siguroi të ardhura totale në vlerën e 46.3 milionë lekëve. 66% e tyre erdhën nga tarifat për shqyrtimin e përqendrimeve, ndërsa pjesa tjetër nga gjobat e arkëtuara gjatë vitit.
Të ardhurat e Autoritetit të Konkurrencës pësuan rënie me 12% krahasuar me vitin e kaluar, ku efektin kryesor e dha ulja e të ardhurave nga gjobat.
Të ardhurat mbuluan rreth 47% të shpenzimeve totale faktike të institucionit, ndërsa një vit më parë këto të ardhura mbuluan 73% të tyre./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/autoriteti-i-konkurrences-arketoi-15-5-milione-leke-nga-gjobat-ndaj-bizneseve-vitin-e-kaluar/
Më të lexuarat








