Secondary Adv

Energjia eolike, tjeter aplikim prane MIE me kapacitet 120 MW

Ndërtimi i një impianti eolik me kapacitet të instaluar 120 MW është aplikimi i radhës i dorëzuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

 

Në faqen e saj, MIE publikoi të dhënat për të marrë komente nga palë të treta interesi lidhur me këtë projekt, që është parashikuar të ndërtohet në zonën e Pogradecit, nëse arrin të kalojë hallkat procedurale.

 

MIE sqaroi se në këtë rast nuk bëhet fjalë për një projekt që përfiton nga masat mbështetëse.

 

“Në zbatim të Nenit 15 të Vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr. 822, datë 7.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni” i ndryshuar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton si më poshtë:

 

Shoqëria “RENX ALBANIA” sh.p.k. ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kërkesën për ndërtimin e një impianti eolik me kapacitet të instaluar 120 MW,

 

për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në zonën e Bashkisë së Pogradecit, Qarku i Korçës.

 

Afati për dërgimin e komenteve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë është 15 ditë, duke nisur nga data e publikimit të këtij njoftimi në faqen zyrtare: www.infrastruktura.gov.al” thuhet në njoftimin e MIE.

 

Kompania në fjalë nuk aplikon për herë të parë, më herët ajo mori miratim paraprak për lidhje në sistemin e transmetimit gjatë vitit 2022, me projekte të tjera të tilla si një në Devoll me kapacitet 450 MW, një në Korçë me kapacitet 190 MW, një në Ersekë me kapacitet 200 MW dhe dy në Pogradec, për 280 dhe 120 MW sikurse në këtë rast.

 

Mbetet e paqartë se në çfarë faze janë zhvillimet mbi këto projekte si dhe të tjera të lidhura me energjinë eolike. Në vend, ecuria më e shpejtë e projekteve është regjistruar tek fotovoltaikët me disa impiante tashmë të ndërtuara dhe vëna në funksion si Karavastaja apo dy në zonën e Ersekës.

 

Ndërkohë në korrik të vitit të shkuar, qeveria shpalli fituesit për ankandin e eolikeve ku u dhanë 222 MW për një çmim që niste nga 44.88 euro/MWh.

 

Fituesit me këtë çmim të ulët ishin bashkimi i Total EREN sa dhe KMV sh.p.k ka.

 

Oferta e dytë më e ulët erdhi nga GurisINSAAT, Morgan Energy dhe BRD Energy sh.p.k për një kapacitet 75 MW dhe një çmim 74 euro/MWh ndërkohë që oferta e tretë erdhi nga Verbund AG me kapacitet 72.6 MW dhe çmim 74.95 euro/MWh. 

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/energjia-eolike-tjeter-aplikim-prane-mie-me-kapacitet-120-mw/)


Më të lexuarat