
Te huajt drejt Shqiperise per punesim , kryesojne Italianet
Lehtësimi i kushteve për t’u pajisur me leje pune nga ana e qeverisë në muajin shkurt të këtij viti duket se ka dhënë efekte në shtimin e të huajve që kanë zgjedhur të punojnë në vendin tonë. Listën e kryesojnë fqinjët përtej Adriatikut, të cilët ndiqen nga turqit dhe kinezët. Shërbimi dhe minierat janë dy sektorët me numrin më të madh të të huajve të punësuar gjatë 6-mujorit 2014.
Me papunësinë që llogaritet në mbi 18%, me një ekonomi që sapo ka nisur të dalë nga kriza, Shqipëria nuk është një “parajsë”, por për shumë të huaj që jetojnë këtu, është vendi që u përmbush nevojat. Ata i gjen kryesisht nësektorë dhe pozicione ku shqiptarët janë më pak të kualifikuar apo më pak produktivë.Përafrimi i mëtejshëm i legjislacionit me atë të BE-së (kusht për përgatitjen e hapjes së tregut kur të aderojmënë BE) dhe lehtësimi i kushteve për marrjen e lejeve të punës që u realizua nga qeveria në shkurt të këtij viti, krijuan një terren më të favorshëmpër punësimin e të huajve.
Me ligjin e ri për të huajt të marsit 2013 dhe vendimeve të qeverisë nuk ka vetëm pajisje me leje pune, por edhe me vërtetime. Ndryshimi i përcaktimeve ligjore është reflektuar edhe te statistikat. Kjo mbështetet edhe nga të dhënat e ofruara për “Monitor” nga Shërbimi Kombëtar i Punës, që tregojnë se për periudhën janar – qershor 2014,numri i të huajve që punojnë në Shqipëri u llogarit në1,365 shtetas ose rreth 24% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Janë rreth 560 leje pune të reja të dhëna për herë të parë. Sipas të dhënave nga totali, 733 janë me leje pune dhe 632 me vërtetime punësimi. Ekspertët e Shërbimit Kombëtar thonë se duke analizuar numrin e shtetasve të huaj, të cilët janë në marrëdhënie pune pranë kompanive të huaja, filialeve të tyre në Shqipëri që janë vetë investues, mund të thuhet se tendenca e punësimit është pozitive dhe kjo detyrimisht çon në rritjen e numrit të këtyre shtetasve.
Të dhënat zyrtare tregojnë se me leje pune janë pajisur edhe një kategori shtetasish të huaj me statusin e refugjatit: 41 iranianë, 1 irakian, 2 kinezë dhe 1 shqiptar i Kosovës. Në jo pak raste,fakti që të huajt po gjejnë në Shqipëri një “strehë” të sigurt pune është artikuluar edhe nga media të huaja, veçanërisht ato italiane dhe greke. Ka disa arsye se përse tregu shqiptar i punës i joshkëta njerëz që të na shohin si “Eldorado”, siç është kërkesa ende e lartë për profesionistë, për njerëz të kualifikuar në profesione të vjetra apo në ata sektorë që janë nën zhvillimin e vrullshëm të teknologjisë.
Të parët, ata me cilët na lidh historia
Disa e quajnë “emigracion” të ndërsjellë, përdisa janë efekte të globalizmit e për të tjerë janë efekte krize.Pjesa më e madhe e të huajve që preferojnë të vijnë në Shqipëri janë nga shtetet fqinje, qëjanë mëtë goditura nga kriza financiare e me të cilët historia na ka lidhur gjithmonë. Ata që pajisen me leje pune janë kryesisht punëdhënësit, ndërsa ata me vërtetime punësimi punëmarrës, numri i të cilëve ka arritur në 625.
Regjistri elektronik i të huajve (moduli E-leje pune) ka rritur mundësinë e monitorimit dhe menaxhimit të shtetasve të huaj në Shqipëri dhe kjo ka lehtësuar kryerjen e studimeve për ndikimin që kanë në ekonomi. Megjithatë, të huajt që punojnë në Shqipëri përbëjnë një forcë pune pothuajse të pandjeshme ndaj totalit, edhe pse numri i tyre është në rritje.Në vitin 2012, numri i të huajve u rrit me 8% me bazë vjetore, duke arritur në 2,500 përkundrejt 2,300 lejeve që u dhanë në vitin 2011, ndërsa në vitin 2008 ishin 1,200 të huaj që punonin me leje të rregullta pune.
Italianët kryesojnë listën e të huajve që kanë zgjedhur të punojnë te fqinji i tyre përtej Adriatikut. Fasoni dhe shërbimi call center janë sektorët që i tërheqin më shumë. Është një fenomen që po bëhet gjithnjë e më shumë prezent, madje që është trajtuar shpesh edhe nga mediat italiane. Nuk kanë munguar as titujt, si: “Tani emigrantët, jemi ne”. Një histori emigracioni që përsëritet, por në rastin e fqinjit, përmasat nuk janë si ato tonat, të një eksodi. (Në Itali, shqiptarët -që numërohen në rreth 500,000 -zënë vendin e parë për sa u përket të punësuarve ekstra komunitarë. Dy fushat kryesore të punësimit të tyre në Itali janë ajo e ndërtimit dhe e industrisë, që përbëjnë rreth 53.5% të të punësuarve).
Por, ajo që i ka detyruar (tashmë) italianët të trokasin në Shqipëri për të punuar është kriza ekonomike, por edhe fakti se në disa fusha ata janë më të kualifikuar se krahu shqiptar i punës. Bëhet fjalë për profile të tilla, si dizajner, specialistë IT, shefa kuzhine, etj. Italianët e punësuar në Shqipëri gjatë periudhës janar – qershor 2014 u llogaritën në 298. Në të njëjtën periudhë të një viti mëparë ata zinin vendin e dytë me 10% ndaj totalit ose me 163 leje pune. Sot italianët e punësuar zënë rreth 47% të shtetasve të pajisur me vërtetime pune. Gjatë 6-mujorit të parë të 2014-s, turqit u renditën të dytët me rreth281 leje pune ose 38% e totalit, pasuar nga kinezët me 113 leje (15% e totalit) dhe kanadezët me 89 leje ose 12% të lejeve. Numri i fqinjëve jugorë, grekëve, këtë vit ka rënë ndjeshëm, duke u llogaritur në 98, nga rreth 8% që zinin një vit më parë. Përfundimi i një pjese të mirë të ndërtimit të rrugës Tiranë – Elbasan nga firma greke “Aktor”, por edhe rënia e ndjeshme e industrisë sëçimentos (ku gjithashtu punojnë një pjesë e grekëve) ka ulur punësimin e tyre.
Shqiptarët e Kosovës që punojnë në tokën “mëmë” kanë rritur përqindjen e tyre, duke zënë në 6-mujorin e parë të këtij viti 8.5% nga rreth 7%një vit më parë. Në rritjen e numrit të të punësuarve ka ndikuar edhe vendimi i qeverisëi marrë në shkurt për të liberalizuar tregun e punësdhe për tërrëzuar barrierat e pajisjes me leje të posaçme. Sa u përket ardhjeve përfqinjët e tjerë ballkanas,të dhënat tregojnë se numri i maqedonasve ka rënë ndjeshëm duke arritur në 28, ai i serbëve në 25 dhe i malazezëve në vetëm 6. Interesant është fakti se ndryshe nga tre vitet e fundit, numri i shtetasve filipinas ka pësuar rënie të ndjeshme, duke u llogaritur në vetëm 3. Duket se kriza ekonomike i ka detyruar shqiptarët që të heqin dorë nga punësimi i filipinasve si punonjës në mirëmbajtjen e shtëpive.
Shërbimet dhe minierat hyjnë në “top-listën” e preferencave
Të dhënat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit tregojnë se ka rritje të numrit të shtetasve të huaj që ushtrojnë aktivitetin në Shqipëri, apo që janë të punësuar pranë kompanive po me pronësi të huaj. Preferencat e punësimit janë përshtatur edhe me zhvillimet që ndjek ekonomia shqiptare, si dhe me nevojat që dikton tregu. Shërbimet janë sektori më i preferuar i të huajve për periudhën janar – qershor 2014. Janë rreth 182 leje pune të dhëna që përfaqësojnërreth 24% të totalit. Kjo tendencë vlen edhe në rastin e vërtetimeve të punësimit, ku për këtë sektor janë dhënë 205 ose rreth 32% e totalit. Gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë, sektorët më preferencialë ishin:ndërtimi me243 leje pune, ose rreth 23% e totalit, pasuar nga industria përpunuese me147 leje pune ose 14% e totalit. Për 2014-n, në vendin e dytë është sektori i industrisë përpunuese me 202 leje pune. Në vitin 2012, në vend të parë ishte tregtia dhe riparimi i automjeteve, e ndjekur nga ndërtimi. Pezullimi i një sërë kontratash koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve ka ulur ndjeshëm numrin e të huajve, që një vit më parë e shihnin atë ndër sektorët e preferuar dhe që garantonte zhvillim të qëndrueshëm.
Natyrisht nuk ndryshon aspak renditja sa u takon qyteteve që strehojnë numrin më të madh të të huajve të punësuar. Edhe në 6-mujorin e parë të këtij viti, Tirana numëron 404 leje pune dhe 424 vërtetime punësimi. Në “hartën” e preferencave kryesore, gjatë vitit 2013, vazhdojnë të jenë qytete si Fieri dheDurrësi, që numërojnë përkatësisht 91 dhe 39 leje pune. Pas tyre vjen Elbasani (21 leje pune), Shkodra (13) dhe Berati me 12 leje pune. Dominojnë punëmarrësit që punojnë në sipërmarrjet private me pronësi të huaj. Sektorë të veçantë të ekonomisë preferojnë të marrin punonjës të huaj për kategori pune të ndryshme. Një pjesë i preferon për nivelin e aftësive të munguara të punonjësve shqiptarë, kryesisht në fushën e industrisë nxjerrëse dhe energjetikës, ndërsa pjesa tjetër për krahun më të lirë të punës. Referuar të dhënave të Shërbimit Kombëtar të Punës, zhgënjyes mbetet fakti se numri i femrave të huaja që zgjedhin të punojnë në Shqipëri ka pësuar një ulje të ndjeshme. Nga 733 leje pune të dhëna në total për periudhën janar–qershor 2014, vetëm 55 iu janë dhënë femrave. Si shkaqe mund të përmendim nivelin më të ulët të pagesës, por ndoshta edhe ofertën më të vogël.
Ekspertët thonë se për shkak se Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë atraktive për të huajt në një kohë krize, pritet që të shënohet rritje e numrit të shtetasve të huaj që do të kërkojnë të pajisen me leje pune, kryesisht për kategorinë e punëdhënësve, të punëmarrësve, për profesionet e larta dhe të vetëpunësuarve./Monitor
Më të lexuarat








