Secondary Adv

Deshton edhe raundi i katert, nuk ka marreveshje per dinarin ne Bruksel

Edhe raundi i katërt rezultoi i pasuksesshëm në Bruksel për dinarin.

 

Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të bëjnë asnjë marrëveshje. Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje të enjten edhe raundi i ri dhe i katërt në përgjithësi mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.

 

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas takimit se pala serbe nuk ka ardhur me ide se si të trajtohet propozimi fillestar i të dërguarit të Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, “por ata kanë paraqitur propozimin e tyre”.

 

“Ky takim mund të quhet si takim i kotë, pa rezultat, dhe ndoshta si sukses i politikës penguese të palës serbe”, tha Bislimi. Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Beogradi “bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje”.

 

“Ne dolëm me një propozim konstruktiv dhe ai propozim u vlerësua nga Brukseli, pra Lajçak, si një bazë shumë e mirë për vazhdimin e bisedimeve”, tha Petkoviq pa shpjeguar se çfarë përmban propozimi i tij.

 

Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

 

“Në anën tjetër, kemi Prishtinën, e cila ka ardhur në Bruksel pa komentuar idetë e BE-së dhe kjo tregon qartë se pala tjetër nuk dëshiron të pajtohet për asgjë”, shtoi Petkoviq.

 

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u takua ndaras me Petkoviqin dhe Bislimin. Për dallim nga takimet e kaluara, të enjten nuk kishte takim trepalësh mes tyre.

 

Takimi i sotëm ishte i katërti në kohët e fundit mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, ndërsa i pesti në përgjithësi për këtë çështje në Bruksel. Të gjitha kanë përfunduar pa ndonjë përparim.

 

Më 1 shkurt në Kosovë hyri në fuqi një rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave. Rundi i kaluar i bisedime për këtë çështje mes Bislimit dhe Petkoviqit, nën ndërmjetësimin e BE-së, u zhvillua më 4 prill.

 

Në rundet paraprake të dialogut, kryenegociatorët kanë diskutuar për propozimet e paraqitura nga ta për çështjen e dinarit serb.

 

Bislimi ka deklaruar se propozimi i Kosovës është “konstruktiv”, që sipas tij, mundëson që mbështetja financiare “të shkojë te përdoruesit finalë, por pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e BQK-së” dhe legjislacioni i Kosovës.

 

Petkoviq e ka cilësuar propozimin serb për dinarin si “të balancuar”, i cili sipas tij ka për bazë “interesat e popullit serb në Kosovë”.

 

Me rregulloren e BQK-së, euroja është caktuar si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave. Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.

 

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/deshton-edhe-raundi-i-katert-ska-marreveshje-per-dinarin-ne-bruksel/


Më të lexuarat