Secondary Adv

Mungesa e kanalizimeve ne zonat turistike, hapen tenderat per Dhermiun dhe Jalen

Pavarësisht se janë 2 nga fshatrat turistikë më të frekuentuar gjatë sezonit veror, Dhërmiu dhe Jala vuajnë mungesën e kanalizimeve dhe impianteve të trajtimit të ujërave të ndotur.

 

Nisur nga kjo situatë, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime ka hapur 2 tenderë për projektimin e impianteve të përpunimin të ujrave të ndotur për këto 2 zona, duke synuar më pas kryerjen e investimit.

 

Tenderi që përfshin zonën e Dhërmiut ka një fond limit prej reth 35.9 mln lekë, ndërsa për Jalën, 22.7 mln lekë, teksa kompanitë e interesuara mund të dorëzojnë ofertat e tyre deri në datën 9 maj.

 

Sipas dokumenteve të tenderit, një nga problematikat më të mëdha për zonën e Jalës, por dhe për gjithë Bashkinë e Himarës është grumbullimi dhe përpunimi i ujërave të ndotur, që bëhet shumë serioz gjatë sezonit turistik.

 

Në këtë zonë mungon rrjeti i kanalizimeve ku zgjidhja e largimit të ujërave të ndotur bëhet në mënyrë individuale bazuar në gropat septike në pronën private të secilës familje.

 

Ndërkohë, për shkak të karakterit shkëmbor të shtresave nëntokësore, nuk ka filtrim të pjesshëm apo depërtim të ngadalshëm në thellësi, duke ndikuar në ndotjen e ujërave nëntokësore.

 

Kjo sidomos kur puset për furnizimin me ujë janë të vendosura pranë gropave septike, duke përbërë kështu një rrezik të përhershëm për pellgjet ujore nëntokësore që përdoren për furnizimin me ujë të pijshëm të popullatës lokale.

 

Edhe për Dhërmiun, theksohet se është domosdoshmëri ndërhyrja emergjente për ndërtimin e infrastrukturës së kanalizimeve, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetesës së banorëve dhe turistëve që e frekuentojne kryesisht në sezonin veror.

 

Konsulentët e përzgjedhur do të duhet të përgatisin një raport dhe analizë e detajuar mbi indentifikimin e nevojave për ujë dhe shkarkimet e ujërave të ndotura deri në vitin 2050, të planifikojnë dhe projektojnë të gjithë sistemin dhe objektet e projektit, si dhe të kryejnë vlerësimin e kostove për realizimin e tyre./Burimi: SCAN


Më të lexuarat