Secondary Adv

Inflacioni baze prek nje minimum te ri, zbret ne 2.73 per qind

Inflacioni bazë pësoi rënie të mëtejshme në muajin mars, duke forcuar besimin se rritja e çmimeve në ekonomi, për momentin, po kthehet brenda objektivit.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, inflacioni bazë në muajin mars zbriti në 2.73%, nga 2.91% që kishte qenë në muajin shkurt. Inflacioni bazë ka arritur nivelin më të ulët që prej shkurtit të vitit 2022.

 

Edhe inflacioni mesatar bazë i tremujorit të parë shënoi rënie të ndjeshme në 2.85%, nga 3.42% që kishte qenë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. I matur për tremujorin, inflacioni bazë ndodhet në nivelin më të ulët që prej tremujorit të fundit 2021.

 

Inflacioni bazë llogaritet nga Banka e Shqipërisë për një grup mallrash që zënë 69% të peshës në shportën e përgjithshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit. Inflacioni bazë përjashton ato produkte që zakonisht kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike.

 

Qëllimi i llogaritjes së inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër.

 

Megjithëse Banka e Shqipërisë vlerëson se presionet e brendshme inflacioniste ngelen të larta, kryesisht për shkak të trysnisë që vjen nga tregu i punës, inflacioni bazë po ndjek një trajektore rënëse, por duke ngelur sidoqoftë në nivele më të larta se inflacioni i shportës së plotë të çmimeve të konsumit.

 

Sipas INSTAT, në muajin mars inflacioni zbriti në 2.3%, në nivelet më të ulët prej pothuajse tre vjetësh.

 

Megjithatë, kontributin kryesor e ka dhënë ulja e ndjeshme e inflacionit të importuar, për shkak të rënies së çmimeve të mallrave në tregjet botërore dhe efektit të forcimit të Lekut në kursin e këmbimit valutor.

 

Rënia e inflacioni, që ka shkuar edhe përtej pritshmërive, siç u shpreh Guvernatori Sejko në muajin mars, po ndryshon edhe skenarët e politikës monetare.

 

Në mbledhjen e muajit mars, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë normën bazë të interesit të pandryshuar, në nivelin 3.25%. Nëse deri në fund të vitit të kaluar pritej një rritje e mëtejshme e normave të interesit, për momentin një skenar i tillë duket se po shkon drejt arkivimit.

 

Madje, ka analistë që mendojnë se Banka e Shqipërisë tashmë mund të fillojë të mendojë për uljen e normave të interesit, duke marrë në konsideratë rënien e inflacioni poshtë objektivit, por edhe tendencat e mëtejshme mbiçmuese të kursit të këmbimit të Lekut.

 

Megjithatë, ka edhe nga ata analistë që besojnë ende se këtë vit mund të kemi raunde të reja të rritjes së inflacionit.

 

Në analizën e fundit për Shqipërinë, Raiffeisen Research parashikon një inflacion më të nxehtë gjatë muajve të verës, kryesisht për shkak të sezonit të fortë turistik në vazhdim, rritjeve të mëtejshme të pagave dhe çmimeve më të larta të naftës në tregun ndërkombëtar.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/inflacioni-baze-prek-nje-minimum-te-ri-per-dy-vitet-e-fundit-zbret-ne-2-73/


Më të lexuarat