Secondary Adv

Ne 3 muaj 1.6 mld euro ne arken e shtetit, por bien fitimet e biznesit

Ekonomia po jep shenjat e para të ngadalësimit, pasi ka rënë ritmi i rritjes së të ardhurave, ndikuar më shumë nga rënia e aktivitetit të bizneseve.

 

Në tremujorin e parë të ardhurat nga tatimi mbi fitimin që lidhet direkt me xhiron e bizneseve ranë me 13.7% krahasuar me vjet. Nga ky zë janë arkëtuar vetëm 18.7 miliardë lekë ose 3 miliardë lekë më pak se viti i kaluar.

 

Në total në këtë tremujor Ministria e Financave thotë se në arkën e shtetit kanë hyrë 163.8 miliardë lekë ( mbi 1.6 miliardë euro), duke u rritur me afro 7.6 miliardë lekë në raport me vitin e kaluar.

 

Në këtë periudhë të parë të vitit të ardhurat tatimore janë rritur me 11.7% krahasuar me 2023-shin dhe sipas financave kanë arritur në 99.4 miliardë lekë. Peshën më të madhe e kanë mbajtur zërat tatimorë të lidhura me pagat e punësimin.

 

Nga janari në mars u rritën me 15.5% të ardhurat nga tatimi mbi pagat, dhe arritën në 15.3 miliardë lekë, në këtë pikë ndikim ka dhënë rritja e rrogave në sektorin publik që prej korrikut të vitit të shkuar.

 

Për pasojë janë shtuar edhe kontributet që varen nga rrogat e deklaruara, dhe në tre muaj kontributet e arkëtuara ishin 37.5 miliardë lekë.

 

Në rritje në këtë periudhë të parë të vitit ishte edhe TVSH-ja, me 17.5 miliardë lekë ose 35.5% më shumë se 3 mujori 2023, e ndikuar edhe prej çmimeve të larta, pasi sa më të larta të jenë çmimet aq më e lartë është vlera e TVSh-së që paguhet.

 

Kurse të hyrat doganore, për shkak edhe të rënies së çmimeve të mallrave në tregjet e huaja dhe zhvlerësimit të valutave, janë në rënie në këtë tremujor me 0.8% në raport me planin e Ministrisë së Financave, por në rritje krahasuar me vjet.

 

Nga TVSH-ja në import u mblodhën 34.4 miliardë lekë, 2.1% më pak se plani dhe nga akciza u arkëtuan 13.1 miliardë lekë ose 2.6% më pak se parashikimi.

 

Kurse shpenzimet publike në këtë tremujor u rritën me 5.1 miliardë lekë krahasuar me vjet dhe arritën në shifrën 130.4 miliardë lekë./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat