Secondary Adv

Qeveria, 49 milion leke fond per biznesin e vogel dhe te mesem

Bizneset e vogla dhe të mesme që ushtrojnë aktivitet në zonat turistike të vendit do të mund të përfitojnë fonde të posaçme nga buxheti i shtetit.


Qeveria ka miratuar vendimin për “krijimin e Fondit në Mbështetje të Mikrondërmarrjeve, Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, që ushtrojnë aktivitet në zonat turistike/historike, me vlerë të përgjithshme 49 milionë lekë, për një kohëzgjatje zbatimi 3-vjeçare, për periudhën 2016-2018.Sipas vendimit në fjalë, fondi fillon të zbatohet në vitin 2016,  ku për vitin 2016, vlera e vënë në dispozicion është 29 milion lekë, dhe për dy vitet e ardhshme nga 10 milion lekë. Fondi do t’u jepet në formë granti të drejtpërdrejtë bizneseve nëpërmjet bashkëfinancimit dhe mbulon deri në 50% të kostove të pranueshme, por jo më shumë se 3 milion lekë. Përveç këtij fondi, burim financimi mund të jenë edhe donatorë të ndryshëm apo institucione financiare ndërkombëtare.

 

Në këtë rast, procedurat e aplikimit dhe kriteret për përzgjedhjen e përfituesve përcaktohen në marrëveshjen që do të lidhet midis qeverisë dhe donatorëve. Kostot e pranueshme, që mund të bashkëfinancohen, përfshijnë kostot për: rikonstruksion të ambienteve të brendshme të vendit të ushtrimit të aktivitetit; blerje makinerish/pajisjesh; shërbime këshillimore për projektimin për ristrukturimin dhe modernizimin e ambienteve të punës.

 

Aplikimi paraqitet në sportelin e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) sipas formatit të aplikimit, të miratuar nga drejtori Ekzekutiv i AIDA-s, duke bashkëngjitur edhe dokumentet e kërkuara.Qeveria ka miratuar edhe një vendim tjetër për përcaktimin e nivelit të pagave për gradë, sipas roleve për punonjësit e Gardës së Republikës së Shqipërisë, i cili i shtrin efektet nga data data 1 qershor 2016.

 

Po ashtu, është bërë një ndryshim në vendimin për dhënien e bonusit të strehimit, ku përcaktohet se për vitin 2016, edhe në rastet kur njësitë e qeverisjes vendore nuk kanë fonde të miratuara në buxhetin e tyre për bonus strehimi, buxheti i shtetit do të përballojë deri në 50% të qirasë, ndërkohë që pjesën e mbetur e përballon qytetari që përfiton bonusin e strehimit. Bashkitë  duhet të paraqesin kërkesat për bonus strehimi brenda datës 30 shtator 2016.


Më të lexuarat