MF: Rimbursim i TVSH-se brenda 30 diteve per 50 per qind te eksportuesve
Rreth 1,050 kompani eksportuese do të përfitojnë rimbursim të TVSH-së brenda 30 ditësh. Qeveria ka ndryshuar procedurat, duke përfshirë në rimbursimin automatik, krahas bizneseve tërësisht eksportuese edhe atyre që janë 50% në eksport.
Sipas ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, ky ndryshim, që është pjesë e paketës për lehtësimin e procedurave administrative, e fut në një fazë të re marrëdhënien mes qeverisë dhe biznesit.“Sot kaluam një vendim që ka lidhje të drejtpërdrejtë me paketën fiskale lehtësuese të procedurave që qeveria dhe kryeministri Rama ka avancuar në publik dhe në komunitetin e biznesit. Projektvendimi në fjalë që sot është vendim ka të bëjë mbi TVSH në Shqipëri, ka ndryshuar në themel një nga procedurat që deri sot mund të ketë qenë penguese. Deri më sot, rimbursim automatik brenda 30 ditëve do të merrte një biznes që ishte 100% sipërmarrje eksporti. Me ndryshimin që kemi bërë përfitojnë 50% e sipërmarrjeve në eksport duke hequr atë pengesë që ka ekzistuar deri më sot për rimbursimin e TVSH në eksport.
Nëse deri më dje vetëm, sipërmarrjet 100% eksportuese përfitonin rimbursim automatik dhe kur ishin nën kontroll tatimor sot të gjitha sipërmarrjet që kanë një qarkullim në eksport 50% e sipër të qarkullimit të tyre total përfitojnë rimbursim automatik të TVSH të rimbursueshme pa asnjë pengesë edhe kur janë në kontroll tatimor. Pra, brenda 30 ditëve do të marrin rimbursimin e TVSH edhe në rastin kur tatimet janë në sipërmarrje për kontroll. Deri më dje, përfitonin nga rimbursimi automatik pa kushte brenda 30 ditëve i TVSH vetëm 300 sipërmarrje; sot me këtë ndryshim përfitojnë 1050 ndërmarrje ose 40% e totalit të eksportuesve”, tha ministri.
Mosrimbursimi në kohë i TVSH ka qenë një ndër problemet e hershme të biznesit, pasi për shkak të procedurave të tejzgjatura, por edhe problemeve me realizimin e planit, bizneset nuk rimbursoheshin në kohë, çka për ta përkthehej në mungesë likuiditeti. Vitet e fundit, ky proces u përmirësua. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, deri në maj, tatimet i kanë rimbursuar biznesit rreth 3 miliardë lekë. Kreu i Financave tha se paralelisht ministria që ai drejton do të dërgojë për miratim në qeveri paketën e re të procedurave: “Në më se dy muaj kemi pranuar mbi 400 sugjerime nga biznesi, të cilat prekin 50 procedura dhe shumë shpejt paketa do të miratohet në qeveri”.