
Pagesat me karte arriten ne vleren 64.1 miliarde leke ne 2023
Ulja e shkallës së lartë të përdorimit të parasë fizike është një sfidë e madhe për ekonominë shqiptare.
Me gjithë rritjen me ritme të pagesave elektronike, përdorimi i parasë fizike në ekonominë shqiptare mbetet një fenomen mbizotërues, i cili mbart kosto të larta për ekonominë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i parasë jashtë bankave ndaj parasë likuide (agregatit monetar M1) vitin e kaluar ishte përsëri në nivel mjaft të lartë, 51%, megjithëse në rënie nga niveli prej 52.7% i një viti parë.
Përdorimi i lartë i parasë cash përcakton shkallë më të lartë informaliteti dhe evazioni fiskal, që ul mundësitë e buxhetit të shtetit për të rritur cilësinë e shërbimeve publike.
Pjesa më e madhe e njerëzve, nga ana tjetër, e ka të vështirë ta kuptojë se përdorimi i parasë cash nuk është metodë pagese pa kosto, por përkundrazi është e kushtueshme për një ekonomi,
nëse merren në konsideratë shpenzimet për pranimin e këtyre pagesave, kostot e ruajtjes dhe transportimit të parasë dhe nëse kuantifikohet rreziku operacional i lidhur me paranë fizike.
Për këtë arsye, rritja e përdorimit të pagesave dixhitale jo vetëm për të zëvendësuar transaksionet bankare, por edhe pagesat në pikën e shitjes është shumë e rëndësishme për ekonominë.
Këto pagesa vazhdojnë të kenë kartat bankare, si instrumentin e tyre kryesor, megjithëse në vitet e fundit kanë filluar të përdoren edhe pagesat me teknologji alternative të parasë elektronike.
Verën e kaluar, Komisioni Europian i rekomandoi Shqipërisë vendosjen e një shume tavan për pagesat me para fizike.
Në raportin e fundit të analizës së përputhshmërisë së Shqipërisë me kuadrin ligjor dhe rregullator komunitar, Komisioni Europian vlerësonte se vendi ynë është vetëm pjesërisht në përputhje me kuadrin e Bashkimit Europian për sa i përket hetimit të pastrimit të parave.
Pavarësisht progresit të fundit, legjislacioni i Shqipërisë është pjesërisht i përafruar me atë të BE-së në këtë fushë.
Një kërkesë e ngjashme për vendosjen e një tavani për pagesat cash është shprehur prej vitesh edhe nga Shoqata Shqiptare e Bankave.
Sipas Shoqatës së Bankave, ulja e parasë fizike në qarkullim dhe në transaksionet tregtare është një sfidë dhe kërkesë për një ekonomi më të organizuar, më të matshme, më të disiplinuar dhe më të qëndrueshme.
Sipas Shoqatës së Bankave, vendosja e një tavani për pagesat cash të individëve do të ndihmonte në uljen e evazionit fiskal dhe do të ndihmonte në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit financiar në përgjithësi.
Gjithashtu, Shoqata e Bankave i ka kërkuar qeverisë që bizneset në Shqipëri të detyrohen të pranojnë të paktën një metodë alternative pagese, përveç parasë fizike.
Pagesat me kartë bankare regjistruan përsëri rritje të fortë vitin e kaluar dhe prekën vlerat më të larta historike në numër dhe në vlerë transaksionesh.
Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2023, pagesat me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes) arritën në pothuajse 14.5 milionë, me rritje prej 35% krahasuar me një vit më parë.
Në vlerë transaksionesh, pagesat me kartë vitin e kaluar arritën në 64.1 miliardë lekë, 26.6% më shumë krahasuar me vitin 2022.
Për vitin 2023, volumi i pagesave në terminale POS përbënte 14.5% të vlerës totale të veprimeve me karta, nga 13.9% që kishte qenë pesha e këtyre veprimeve një vit më parë.
Pagesat me kartë po nxiten sidomos nga rritja rekord e turizmit hyrës. Kërkesa nga turistët e huaj për të paguar me kartë po shtyn një numër më të madh biznesesh të pranojnë pagesa me këto instrumente.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë, në fund të vitit të kaluar, arriti shifrën rekord prej 19 184, në rritje me 18.2% krahasuar me një vit më parë.
Numri i kartave bankare aktive në fund të vitit 2023 arriti në 1.43 milionë, në rritje me 4.6% krahasuar me një vit më parë. Numri i kartave të debitit arriti në 1.24 milionë, në rritje vjetore me 5%.
Ky produkt ngelet dominues dhe përbën pothuajse 87% të numrit të përgjithshëm të kartave bankare. Karta e debitit është një instrument bazë pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve.
Viti 2023 ishte pozitiv edhe në segmentin e kartave të kreditit. Në fund të vitit të kaluar, sektori bankar raportonte pothuajse 120 mijë karta krediti aktive, me rritje vjetore prej 6.6%.
Megjithëse zhvillimi i këtij produkti në tregun shqiptar ngelet ende i dobët, numri i kartave të kreditit ka arritur shifrën më të lartë historike.
Vitin e kaluar, dy gjigantët globalë Visa dhe Mastercard dominuan plotësisht tregun e kartave bankare në Shqipëri, ndërsa American Express doli plotësisht nga tregu, së bashku me kartat e tjera të lëshuara nga subjektet lokale.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2023, bankat tregtare shqiptare kishin mbi 729 mijë karta aktive të lëshuara me markën e Visa, shifër kjo në rritje me 3.8% krahasuar me fundin e vitit 2022.
Megjithatë, pjesa e tregut e Visa ka rënë në 50.9% të numrit total të kartave aktive në Shqipëri, nga 51.3% që mbante në fund të vitit 2022.
Mastercard, në fund të 2023, raportonte pothuajse 704 mijë karta aktive. Numri i kartave Mastercard është rritur me 5.4% më shumë krahasuar me vitin 2022.
Kartat e lëshuara me markën Mastercard përbënin 49.1% të numrit total të kartave aktive, në rritje nga niveli prej 48.7% që zinin një vit më parë.
American Express, vitin e kaluar, ka dalë nga tregu shqiptar dhe sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë nuk rezultonte më asnjë kartë aktive e lëshuar në emër të saj.
Dalja nga tregu e American Express erdhi pas shkrirjes së Alpha Banka Albania, banka e fundit tregtare në Shqipëri që lëshonte ende karta të kësaj kompanie. Në dhjetor të vitit 2022, Alpha Banka Albania u bashkua ligjërisht me Bankën OTP Albania.
Edhe kartat lokale, që gjithsesi kishin qenë në shifra të papërfillshme, vitin e kaluar kanë dalë plotësisht nga tregu.
/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/viti-2023-sektori-bankar-me-i-forte-me-i-dixhitalizuar-dhe-me-me-shume-fitime/)
Më të lexuarat








