Secondary Adv

Aeroporti i Vlores, hapet tenderi 274 mln leke per kontrollin e trafikut ajror

Albcontrol ka hapur tenderin që përfshin furnizimin, instalimin dhe vënien në punë të sektorit të ri të kontrollit të trafikut ajror në Aeroportin e Vlorës.

 

Teksa Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës pritet të përfundojë ndërtimin në fund të vitit 2024, Albcontrol është në kërkim një konsulenti që do të kryejë zgjerimin dhe rikonfigurimin e sistemit ekzistues të ATM-së për mbështetjen e shërbimeve të kontrollit të trafikut ajror.

 

Ky dikaster ka hapur tenderin mbi kufirin e lartë monetar me vlerë 274 mln lekë, që përfshin furnizimin, instalimin dhe vënien në punë të sektorit të ri të kontrollit të trafikut ajror në Aeroportin e Vlorës.

 

Sipas dokumenteve të tenderit, sektori i ri do të jetë me kapacitete identike si Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, që aktualisht ka 7 konsola për pozicionet e punës së kontrollorëve, nga të cilat 4 shërbejnë për operacionet gjatë rrugës, një për operacionet e Forcave Ajrore Shqiptare dhe 2 të tjera, si pozicione rezervë në rast të dështimeve.

 

Ndërkaq, konsulenti që do të fitojë tenderin do të duhet të ofrojë edhe trajnime për funksionimin e sistemit të ri dhe në sallën e kontrollit të Kullës së Aeroportit të Vlorës.

 

Punimet për aeroportin e Vlorës nisën në fund të vitit 2021, ndërkohë që sipas dokumenteve të tenderit pista parashikohet të ketë një gjatësi prej 3200 m dhe gjerësi 45 m.

 

Ky aeroport po ndërtohet përmes një kontrate të partneritetit publik privat, që zotërohet në masën 98% nga kompania Mabco Constructions, ndërsa 2% e aksioneve mbahen nga kompania A2 Group.

 

Kohëzgjatja e kontratës është 35 vjet./Burimi: Scan TV


Më të lexuarat