Secondary Adv

Rriten kerkesat per azil ne shkurt, Shqiperia dhe Kosova kryesojne ne rajon

Sipas të dhënave të Eurostat, në muajin shkurt të vitit 2024 u regjistruan 744 aplikime gjithsej për azil në një nga vendet e BE-së nga shtetasit shqiptarë.

 

Nga këto kërkesa, 570 prej tyre ishin aplikime për herë të parë.

 

Krahasuar me janarin e këtij viti, kur regjistroheshin 648 aplikime, shohim se kërkesat janë rritur me rreth 15% ose me 96 më shumë.

 

Edhe pse shifrat e shkurtit tregojnë rritje, sipas analizës së trendit të aplikimeve për azil nga shtetasit shqiptarë në muajt paraardhës vihet re një tendencë në rënie, krahasuar me vitin e kaluar.

 

Duket se prej muajsh, numri i shqiptarëve azilantë në Bashkimin Europian vijon trajektoren rënëse, e cila mund të jetë edhe rrjedhojë e rrugëve të reja të kalimit, siç është rasti i Mbretërisë së Bashkuar.

 

Nëse analizën e shtrijmë në nivel rajonal, të dhënat tregojnë se shqiptarët janë orientuar drejt azilit më shumë se shtetasit e Maqedonisë së Veriut dhe ato të Serbisë, pasi vendi ynë renditet në krye të listës me numrin më të lartë të aplikimeve për azil në vendet e BE-së.

 

Më pas ndjekin në renditje Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

 

Sipas të dhënave edhe në Kosovë vihet re nje rritje e numrit të kërkesave për azil, krahasuar me muajin janar të vitit 2024.

 

Ndërkohë, më pak janë kërkesat për azil nga shtetasit e Bosnje Hercegovinës dhe Malit të Zi, të cilët në shkurt të vitit 2024 regjistruan vetëm 124 aplikime dhe 29 aplikime gjithsej.

 

Kjo renditje ka mbetur e pandryshuar nga ajo e janarit të vitit 2023.

 

Pra, ndër vendet e rajonit ku vihet re rritje e numrit të kërkesave në shkurt, krahasuar me janarin, mund të përmendim vetëm Shqipërinë dhe Kosovën./Burimi: Scan TV


Më të lexuarat