
Patentat e reja me 20 pike, gati ne fillim te 2015-es
Qeveria pritet të miratojë ndryshimet në një vendim të fundit që lidhet me zbatimin e sistemit të patentës me pikë për t’i hapur rrugë konkretizimit të projektit per patentat e reja me pike.
Sipas specialistit të Qarkullimit dhe Sigurisë Rrugore, Nikolin Bërxhiku, aktualisht është gati softi dhe arkiva e kompjuterizuar që do të shërbejë për të aplikuar këtë sistem. Do të jetë Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor dhe ajo e Policisë Rrugore që do të kenë akses në regjistër, secila me rolin e vet. Rrugorët do të verifikojnë shkeljet sipas mjeteve, kurse DPSHTRR do të bëjë edhe pasqyrimin e tyre në sistem për t’i zbritur apo rritur pas çdo mase e vendimi.
Sistemi
Ndryshimet në Kodin Rrugor vlerësohen si thelbësore nga Nikolin Bërxhiku, specialist në Drejtorinë e Qarkullimit dhe Sigurisë Rrugore në Ministrinë e Transporteve. “Me ndryshimet e Kodit që priten të miratohen në Kuvend, korrigjohet legjislacioni për lejedrejtimin me pikë, i cili deri në këto momentee bënte të pamundur zbatimin e sistemit të lejedrejtimit me pikë. Tani pritet të korrektohet dhe vendimi i miratuar një vit më parë që bën fjalë për zbatimin e sistemit të pikëve dhe në këtë mënyrë do të jetë i plotë kuadri ligjor i lejedrejtimit me pikë.
Do të jenë përgjegjëse për zbatimin e këtij sistemi Drejtoria e Policisë Rrugore, si verifikuese e shkeljeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, e cila disponon arkivin e lejeve të drejtimit dhe do të mbajë të regjistruar dhe do të publikojë pikët e lejeve të drejtimit”, tha Bërxhiku. Projekti i patentës me pikë ka vite që flitet, madje janë miratuar edhe vendime specifike, por sërish ka pasur probleme që nuk kanë çuar në zbatim. Duket se ndryshimet e fundit janë kryesore për t’i hapur dritën e gjelbër sistemit të ri. Qeveria nga ana tjetër ka ashpërsuar masat ndëshkuese për të dekurajuar shkeljet. Ashpërsim vihet re sidomos edhe për shkeljet që dëmtojnë infrastrukturën rrugore.
Patentat e reja me pike
Sipas specialistit Bërxhiku, modeli që po ndjek Shqipëria është i ngjashëm me Bashkimin Europian, i cili ka një sistem të harmonizuar në gjithë vendet anëtare. Patentat e reja me pikë synojnë integrimin në një të disa sistemeve. Pritet që gjatë këtyre muajve të zhvillohen edhe testimet respektive dhe koordinimi mes institucioneve, në mënyrë që sistemi të jetë funksional në fillim vitin e 2015-s. Të gjithë ata që sot kanë një leje drejtimi do të hyjnë në sistem me pikët maksimale dhe më pas në rast se kryejnë shkelje, do të kenë ulje në masa të ndryshme, varet nga lloji i shkeljes. “Të gjithë do kenë një sasi të caktuar pikësh prej 20 të tilla, siç është parashikuar dhe në Kodin aktual Rrugor. Për çdo shkelje që do verifikohet, që zakonisht është e një natyre që parashikon pezullim lejedrejtimi, do të zbriten dhe një numër i caktuar pikësh. Kështu do jetë si për shoferët aktualë, edhe për ata që do marrin më pas lejen e drejtimit”, shprehet Nikolin Bërxhiku.
Po kështu, në sitë kaluan edhe autoshkollat, madje lidhur me këto të fundit Ministria e Transporteve bëri edhe ndryshimet specifike që lidhen direkt me procedurat si e zhvillojnë aktivitetin, si dhe rritjen e kritereve për marrjen e një leje drejtimi. Kodi Rrugor, çfarë ndryshoi për patentat Qeveria miratoi pak ditë më parë ndryshimet në Kodin Rrugor, të cilat fokusoheshin në disa pika. Së pari, në ndarjen dhe kategorizimin e llojit të lejes së drejtimit duke e përshtatur atë me sistemin europian, së dyti lidhur me kategorizimin e mjeteve, së treti specifikime për moshën e drejtuesve të mjeteve, si dhe së fundmi lidhur me kriteret për autoshkollat. Një vend të veçantë në këto ndryshime të fundit zinte edhe ajo e ashpërsimit të masave ndaj atyre që ndërhyjnë në trupin e rrugës, duke rritur kështu gjobat për të dekurajuar nisma të tilla.
Kategorite e mjeteve
Në listën e kategorive të mjeteve që fillonin nga L1 mjete të thjeshta motorike e deri tek O4 mjete me rimorkio dhe me tonazh mbi 10 tonë, qeveria ka shtuar në listën edhe një kategori tjetër. Kështu, ndryshimet e fundit përfshinë edhe kategorinë T, që lidhet me traktorët duke i specifikuar ata nga më të thjeshtët te më të mëdhenjtë. Te kategorizimi i mjeteve ka ndryshuar edhe pjesa që lidhet me shpejtësinë kufizuese maksimale të kategorisë L1, pra mjete të thjeshta, duke e bërë atë nga 50 kilometra në 45 kilometra.
Patentat
Në Kodin Rrugor është ndryshuar komplet ndarja e lejeve të drejtimit në disa kategori, duke e përshtatur këtë tashmë me sistemin europian. Pra, e para është kategoria AE që përfshin ciklomotorë apo mjete me katër rrota, por të lehta. Kategoria e fundit e lejedrejtimit është DE, e cila përfshin kombinimin e një mjeti të kategorisë D me një rimorkio ose gjysmërimorkio, ku masa maksimale e autorizuar e rimorkios ose gjysmërimorkios është më shumë se 750 kg. Për të gjithë ata që nuk kanë një lejedrejtimi, por që kapen duke drejtuar një të tillë qeveria ka ashpërsuar në Kod masat me gjobë. “Cilido që drejton automjete a motomjete pa marrë lejedrejtimin, dënohet me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë.
I njëjti dënim zbatohet edhe për drejtuesit që drejtojnë mjete pa lejedrejtimi, sepse u është hequr ose nuk është rinovuar për mosplotësim të kushteve të përcaktuara nga ky Kod”, thuhet në ndryshimet e miratuara. Nga ana tjetër, të gjithë ata që kanë një mjet, por që ia japin ta drejtojë dikush që nuk zotëron leje drejtimi, masa e gjobës është nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë dhe me pezullimin e lejedrejtimit për një vit.
Më të lexuarat









