Rriten me 30 per qind gjobat per ndotjen e mjedisit, penalitete dhe per turistet
Dy nga katër ligjet, që parashikojnë rritjen me 30% të gjobave në fushën e mjedisit janë depozituar në Kuvend.
Sipas relacioneve që shoqërojnë projektligjet “Për mbrojtjen e mjedisit” dhe “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis” synohet që përmes penalizimeve më të rënda të ketë një përmirësim në drejtim të cilësisë së mjedisit.
Ndërkohë që, penalizimet prekin subjektet që janë të pajisur me leje mjedisi e që kanë një sërë detyrimesh në drejtim të mbrojtjes së mjedisit, për shkak të aktivitetit që ata ushtrojnë.
Sipas propozimeve të reja në ligjin për cilësinë e ajrit, operatorët që disponojnë leje mjedisi të tipit A, ku futen ato aktivitete që shkaktojnë dhe ndotjen më të lartë në mjedis, masa e gjobave në rast të mosrespektimit të kushteve do të variojë nga 1.3 – 2.6 mln lekë.
Për lejet mjedisore të tipit B, gjobat do të variojnë nga 390 – 650 mijë lekë.
Po ashtu, parashikohet ashpërsimi i gjovae në rast se subjektet nuk raportojnë për shkarkimin dhe transferimin e ndotësve apo dhe për shumë kundravajtje të tjera që parashikon ligji “Për mbrojtjen e mjedisit”.
Ndërkaq, qeveria pret uljen me 40% e nivelit të ndotjes në zonat urbane, brenda vitit 2024 nga aplikimi i gjobave më të larta për shkelësit.
Zv.ministrja e Turizimit Almira Xhembulla tha se përmes ashpërsimit të gjobave, synohet ndërgjegjësimi i tyre, për të bërë të mundur uljen e nivelit të ndotjes.
Xhembulla tha se përjashtim nuk do të bëjnë as turistët, të cilët po ashtu do të përballen me penalitete, nëse shkaktojnë ndotje.
Sa i takon mënyrës, sesi do të organizohet ky aksion, përveçëse do të intensifikohen kontrollet, në bashkëveprim dhe bashkëpunim me disa institiucione të përfshira, në rastin e zonave të mbrojtura do të vendosen në funksion të inspektorëve edhe kamerat e sigurisë.
Më herët ministrja Kumbaro ka deklaruar, se përmes këtyre iniciativave ligjore që kanë në thelb rritjen e nivelit të gjobave, synohet reduktimi i ndotjes me 40 për qind. Por, për ekspertët kjo nuk është e mjaftueshme.
Ata kërkojnë që të ndërmerren masa shtesë, që kanë të bëjnë me flotën e automjeteve që janë në qarkullim, si edhe kompanitë e ndërtimit, që konsiderohen edhe si ndotësit më të mëdhenj./Burimi: Scan TV