Secondary Adv

Heqja e TVSH-se, Ahmetaj refuzon kerkesen e fasoneve

Ministria e Financave premton vetëm thjeshtim të procedurave të rimbursimit.Një nga kërkesat e biznesit që punon nën regjimin e përpunimit aktiv (fason) për përjashtimin e nënkontraktorëve nga TVSH-ja ka marrë përgjigje negative nga Ministria e Financave.

 

Në përgjigjen zyrtare që financat i kanë kthyer Dhomës Kombëtare të Veshjeve thuhet se propozimi për përjashtimin nga TVSH për nënkontraktorët e biznesit fason bie në kundërshtim me nenin përkatës “Përjashtimi i veprimtarive të tjera” në ligjin 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë i ndryshuar”. Direktiva e BE-së nuk e trajton me TVSH të përjashtuar furnizimin e shërbimit të nënkontraktorëve për kontraktorët nën regjimin e përpunimit aktiv, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave. Një nga kërkesat e industrisë fason, në kuadër të një pakete për nxitjen e këtij sektori, ishte që nënkontraktorët të kenë trajtim të njëjtë me kontraktorin kryesor sa i përket rimbursimit të TVSH-së (shkarkimi i TVSH-së te nënkontraktorët). Biznesi ka kërkuar në takime me përfaqësues të Ministrisë së Financave që nënkontraktorët të faturoheshim më TVSH zero (që në fakt është zbatuar edhe më parë). Por, paketa e re duket se nuk do të ketë asnjë lehtësim për nënkontraktorët!



Aktorët e tregut pohojnë se aktualisht subjektet primare që furnizojnë të tretët i paguajnë ata pa TVSH-në (d.m.th 20% më pak) me premtimin që TVSH-në do ia kalojnë kur të rimbursohen nga shteti. Si rrjedhojë, subjektet e vogla marrin më pak para dhe janë në varësi të kontraktorit kryesor. Subjektet që furnizojnë të tretët automatikisht si procedurë duhet ta kalojnë pjesën e kontrollit, që të marrin rimbursimin e TVSH-së. Në këtë mënyrë nënkontraktori pret kontraktorin dhe ky i fundit pret qeverinë, duke krijuar kështu vonesa në pagesa që kanë vënë në vështirësi nënkontraktorët, teksa kjo e ardhur e munguar është zë i fuqishëm i tyre.  Aktorët e tregut pohojnë se ligji i vjetër i TVSH-së e rregullonte më mirë këtë problem.

 

Ministria e Financave në shkresën e saj premton vetëm thjeshtim të procedurave të rimbursimit të TVSH-së, me qëllim lehtësimin e rimbursimit automatik të TVSH-së dhe përmbushjes së afateve ligjore brenda 30 ditëve të rimbursimit të TVSH-së, në dobi të eksportuesve, duke synuar nxitjen e eksporteve. Këto ndryshime konsistojnë në rikategorizimin e eksportuesve, duke ulur pragun e peshës që zënë eksportet në totalin e shitjeve, me qëllim përmbushjen e afateve ligjore brenda 30 ditëve të rimbursimit të TVSH-së dhe kritereve që duhet të plotësojnë eksportuesit për t’u rimbursuar automatikisht. Për eksportuesit që kryejnë eksporte në raportet mbi 70%, rimbursimi bëhet automatikisht, duke u konsideruar potencialisht si tatimpagues pa risk për qëllime të rimbursimit të TVSH-së. Ndërkohë për eksportuesit që kategorizohen sipas raportit të eksporteve nga 50% deri në 70% i nënshtrohen më parë analizës së riskut për rimbursim, thuhet në përgjigjen e financave.


Më të lexuarat