Secondary Adv

BSH: Bizneset e qytetaret po i paguajne ne kohe kredite, edhe pse interesat jane rritur

Niveli i kredive me probleme në Shqipëri në muajin mars zbriti në nivelin e ulët historik.

 

Bizneset dhe qytetarët po i paguajnë në kohë kreditë, edhe pse interesat janë rritur. Aktualisht sipas raportit të Bankës së Shqipërisë janë 4.64% nga 5.15% që ishte në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

 

35.4 miliardë lekë të reja janë kreditë me probleme në sektorin bankar dhe në raport me marsin e vitit të kaluar, stoku i kredisë së keqe është në rënie me 1.2 miliardë lekë.

 

Edhe pse pritej që portofoli i keq të zgjerohej për shkak të rritjes së normës bazë të interesit që solli rritje edhe të normave për kreditë që jepnin bankat, situata e mirë ekonomike, zhvlerësimi i valutave dhe aftësia paguese e klientëve kanë ndikuar pozitivisht.

 

“Ky përmirësim është vënë re në të gjitha portofolet e kredisë, por ka qenë më i dukshëm në portofolin e kredisë në monedhë të huaj, në kredinë afatgjatë dhe në kredinë për bizneset”, thotë Banka e Shqipërisë.

 

Forcimi i ndjeshëm i lekut ndaj euros dhe dollarit në raport me vitin e kaluar, ka bërë që kostot e kthimit të kredisë së marrë në euro të ulen. Në raportin e stabilitetit financiar Banka e Shqipërisë ka listuar edhe disa nga faktorët e tjerë që kanë ndikuar në rritjen e cilësisë së kredisë.

 

“Pavarësisht pritjeve, rritja e normave të interesit nuk ka shfaqur ende një ndikim të dukshëm negativ në cilësinë e kredisë. Rënia e kredive me probleme lidhet me riklasifikimin e kredive me probleme në klasa më të mira, fshirjen e kredive të humbura, si dhe shlyerjen e një pjese të kredive me probleme”, thotë Banka e Shqipërisë.

 

Por edhe bankat prej disa muajsh po tregohen më të kujdesshme në dhënien e kredisë, dhe kanë shtrënguar kushtet e kreditimit, në mënyrë që të mos rrezikojnë, duke shmangur rritjen e kredisë së keqe.

 

Totali i kredisë së dhënë për ekonominë deri në fund të muajit mars ishte 763 miliardë lekë, nga 711 miliardë lekë që raportohet në fund të marsit të vitit 2023./Burimi: Shqiptarja.com

 

KREDITË ME PROBLEME NË %

Mars 2023          5.15%

Mars 2024          4.64%

Rënia                 -0.51%

 

TOTALI I KREDISË PËR EKONOMINË

Mars 2023          711,453 mld lekë

Mars 2024          763,204 mld lekë

Rritja                 + 51,751 mld lekë

 

KREDIA ME PROBLEME NË VLERË

Mars 2023        36,639 mld lekë

Mars 2024        35,412 mld lekë

Rënia                -1,227 mld lekë


Më të lexuarat