Secondary Adv

Rritja e akcizes, importi shkaterron birren vendase

Birrat e importit vijojnë të zgjerojnë terren në tregun shqiptar.

 

Në periudhën janar-mars, birra e importit zuri 59% të tregut bazuar në të dhënat e prodhimit dhe importit.

 

Sasia e importuar në muajt janar-mars sipas të dhënave të Doganave, u rrit me 30%.

 

Ndërsa sasia e birrës e prodhuar nga fabrikat vendase ka nisur të rikuperohet, pas një viti me vështirësi me kosto të rënduara prej dyfishimit të akcizës që nisi zbatimin nga 1 janari 2023 dhe rënie shitjesh nga humbja e konkurrueshmërisë së çmimit.

 

Sipas të dhënave të Doganave në muajt janar-mars u prodhuan 6,8 milionë litra birrë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023, prodhimi vendas është rritur me 11%.

 

Administratori i fabrikës së prodhimit të birrës “Stela”, Enzo Panteqi, pohon se nivelet e prodhimit vijojnë të mbeten larg sasisë së prodhuar në 2021 dhe 2022.

 

Ai thekson se për periudhën janar-mars 2024, fabrikat po prodhojnë më tepër birrë se vjet, për shkak të motit të mirë dhe turizmit që favorizon shitjet, por edhe nga shtimi i fuqisë blerëse e ndikuar nga rritja e rrogave.

 

Xhim Begeja, drejtues i Shoqatës së Mikro Birrave Artizanale Shqiptare, por edhe operator i vogël në treg, me kapacitet prodhues 700 deri në 750 litra në ditë, pohon me shqetësim se prodhimi artizanal është drejt zhdukjes nga kostot e larta pas dyfishimit të akcizës.

 

“Kostot për prodhimin janë shtuar veçanërisht pas ndryshimeve të akcizës. Detyrimi për akcizën zë 22% të kostos prodhuese. Kjo po dëmton prodhuesit e birrës artizanale vendase.

 

Presim fillimin e sezonit turistik për të parë ecurinë e kërkesës, pasi birra artizanale vendase preferohet më tepër nga turistët e huaj. Por edhe në periudhë turizmi, ndihet mungesa e shitjeve, veçanërisht nga prodhues larg zonave turistike”.

 

Ardhja e turistëve, që në muajin prill, sipas tij, po jep efekte te konsumi vetëm te birraritë pranë zonave qendrore të Tiranës, si ajo e Pazarit të Ri, por ende nuk ka nisur të ndihet në zonat e tjera përreth.

 

Nga 1 janari 2023, kompanitë shqiptare po paguajnë dyfish të akcizës. Ndryshimi i akcizës shtoi me 22% kostot e prodhuesve, që prej kohësh vuanin rritjen e kostove nga shtrenjtimi i lëndës së parë të birrës malto, materialeve ambalazhuese dhe rritja e rrogave të punonjësve.

 

Për shkak të mospërballimit të kostove, vjet prej muajit janar deri në mars, disa fabrika mbyllën përkohësisht prodhimin. Sipas të dhënave të Doganave, sasia e birrës së prodhuar në muajt janar-mars 2023 u ul me 22% krahasuar me 2022.

 

Njëzëri prodhuesit vendas ngritën disa herë shqetësimin se dyfishimi i akcizës jo vetëm do të rriste peshën e birrës së importit në treg, por do të çonte drejt falimentimit industrinë vendas.

 

Prodhimi i vendit para ndryshimeve fiskale ka qenë i tarifuar me 360 lekë/HL për prodhuesit nën 200,000 Hl, ndërsa për prodhimin mbi këtë nivel akciza ishte 710 lekë.

 

Pas ndryshimeve në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, taksa u unifikua në 710 lekë të prodhuesve nën dhe mbi 200,000 Hl, si vendas dhe të huaj.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/birra-vendase-mbytet-nga-importi-2/)


Më të lexuarat