Konfindustria kerkon nderhyrje urgjente per Durres-Tirane, hetim korrupsionit te rruget
Konfindustria përmes një njoftimi publik i kërkon ekzekutivit që të ndërhyjë për të përmirësuar situatën mjaft të vështirë të dy akseve rrugore më strategjike të vendit.
Segmentet rrugorë të mësipërm janë tërësisht jashtë standarteve teknike të lejueshme, përveç pamundësisë për të përballuar ngarkesën e lartë të lëvizjes të qytetarëve dhe bizneseve, paraqesin dhe rrezik mjaft të lartë për aksidente me pasoja fatale për jetën- thuhet në njoftimin për shtyp.
Konfindustria vlerëson, se ndërhyrjet përmirësuese në akset rrugore, që lidhin kryeqytetin dhe portin kryesor të Shqipërisë, është e domosdoshme të kryhet para fillimit të sezonit turistik 2024.
Gjëndja plotësisht jashtë standarteve e segmenteve rrugore në fjalë janë goditje e rëndë edhe për turizmin shqiptar.
Konfindustria gjithashtu, i kërkohet institucioneve të drejtësisë dhe SPAK të vlerësojnë mundësinë e shkallës së lartë të korrupsionit në sistemin e tenderimit të mirëmbajtjes rrugore ku, megjithëse shpenzohen me qindra milionë Euro, gjëndja paraqitet e papranueshme.
Institucioni ka marrë si shembull akset rrugore Tiranë-Durrës dhe Durrës-Rrogozhinë që ishin gjithashtu pjesë e projektit të rehabilitimit të rrugëve prej 80 milionë dollarësh të Bankës Botërore të mbyllur së fundmi, krahas financimit të buxhetit vjetor.