Secondary Adv

Hidhet ne qarkullim monedha metalike shqiptare 10 Leke, emetim i 2023

Banka e Shqipërisë njofton se duke filluar nga data 28 maj 2024 do të hidhen në qarkullim, monedhat metalike shqiptare me vlerë nominale 10 Lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2023.

 

Rishtypja e monedhave metalike shqiptare me kurs ligjor, me vlerë nominale 10 Lekë, është miratuar me vendimin nr. 2, datë 18.1.2023, të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në mbështetje të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

 

Monedhat metalike me vlerë nominale 10 Lekë, emetim i vitit 2023, kanë të njëjtën përbërje, pamje, përmasa dhe peshë me emetimin e fundit të kësaj prerjeje.

 

Ndryshimi nga emetimi i fundit qëndron tek viti i emetimit i shtypur në trupin e monedhës metalike, i cili në monedhat e reja do të jetë “2023”.

 

Nga data 28 maj 2024, monedhat metalike me vlerë nominale 10 Lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2023, do të përdoren si mjet pagese paralelisht me të gjitha monedhat metalike ekzistuese në qarkullim të kësaj prerjeje, emetime të viteve të mëparshme.

 

Hedhja në qarkullim i monedhës kombëtare “lek” është detyrë ekskluzive e Bankës së Shqipërisë.

 

Ajo përcakton format, peshat, masat, modelin dhe karakteristikat e tjera të kartëmonedhave dhe monedhave metalike shqiptare, me kurs ligjor brenda vendit.

 

Rishtypja e monedhave metalike në vend realizohet për shkaqe të ndryshme, siç mund të jenë nevojat ekonomike, mungesa e këtyre monedhave, apo edhe inflacioni pasi në situata të inflacionit,

 

monedhat metalike preferohen si një mënyrë për të ruajtur vlerën e parave për shkak se materialet prej të cilave janë bërë (si metali) janë më të qëndrueshme sesa kartëmonedhat në kushte të tilla./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat