Secondary Adv

Kuvendi miraton ligjin, pronat shteterore mund te shkembehen me private

Më 68 vota pro dhe 21 kundër, Kuvendi ka miratuar projektligjin për privatizimin e pronës shtetërore. 

 

Pronat shtetërore do të mund të shkëmbehen me ato private të bizneseve të ndryshme. 

 

Kuvendi miratoi sot me 68 vota pro, 2 abstenim, dhe 21 kundër, projektligjin për ndryshimin e aktit normativ për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta.

 

Kalimi për në seancë plenare me shpejtësi i projektligji, nxiti debatin që në nisje të seancës plenare të kësaj të enjteje (16 maj). Opozita kërkoi heqjen nga rendi i ditës, duke akuzuar mazhorancës për klientelizim dhe korrupsion.

 

“Ju kërkoj ta tërhiqni këtë pr.ligj, është antikushtetues, i porositur që do të marrë edhe  ato pak prona shtetërore që i kanë mbetur shtetit, pronat shtetërore do i jepen privatit për kulla. Vetëm kryeministria do mbetet nesër se atë nuk e lëshon, çdo godinë shtetërore do i jepet privatit”, tha deputetja demokrate Dhurata Çupi.

 

“Duhet ta tërhiqni, ta kaloni në konsultim publik. Abuzim me pronat publike janë të tmerrshme. T’i dhurosh oligarkut atë që deri dje e mbulonit me ligjin për investitorët strategjik”, tha deputeti Arbi Agalliu.

 

Por, përgjigjen opozita e mori nga deputeti propozues, kryetar i komisionit të Ekonomisë, Shalsi.

 

“Pse nuk dëgjove rastet kur qeveria e kaluar kishte shkëmbyer prona me privatin.  Synimet janë të qarta, po sanksionojmë një të drejtë që është në Kodin Civil, asgjë më shumë, asgjë më pak.

 

S'kam gjetur, asnjë argumentim nga ju, përvese një alarmi të rreme, një paniku të pajustifikuar se pse nuk duhet ta votojmë sot. Ligji hap një perspektivë të re.”, u shpreh Shalsi.

 

Më herët kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e quajti draftin të porositur nga mafia e pronave publike.

 

“Ky është Edi Rama, nga njëra anë propozon rezolutë kundër korrupsionit, nga ana tjetër e përdor atë për të fshirë buzët e pushtetit të trashura nga gostitë korruptive me pronat e shqiptarëve”, shkroi Basha.

 

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Tabaku, paralajmëroi se ligjin do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese.

 

Sipas ndryshimeve ligjore pronat shtetërore, subjekt privatizimi, do të shkëmbehen me ato private nëse do të kërkohen nga biznesi, ndërsa shembja e objekteve brenda këtyre pronave do të bëhet me shpenzimet e privatit./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat