Secondary Adv

Ndertimi i hekurudhes elektrike Vore-Hani i Hotit, hua 95.7 mln euro nga BERZH

Shuma e huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit është 95.7 milionë euro.

 

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj tha sot se shuma e huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit është 95.7 milionë euro.

 

Në prezantimin në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit”, zv/ministrja Muçaj tha se:

 

“Ky investim realizohet përmes një bashkëfinancimi që arrin në vlerën 360 milionë euro, por edhe me një mbështetje shumë të fuqishme që këtë herë vjen për shkak të përfshirjes në planin ekonomik të investimit në nivel europian dhe të kthimit të rrjeteve hekurudhore që i ka sjellë Shqipërisë për herë të parë për shkak të iniciativave dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të marrë një investim nga Bashkimi Europian në vlerën thuajse 54% të totalit të investimit në vetvete”.

 

Zv/ministrja Muçaj vuri në dukje se “Shqipëria për herë të parë po kryen një nga investimet më të rëndësishme në një nga segmentet që është transporti hekurudhor,

 

i cili vjen me një vlerë të rëndësishme për qytetarët shqiptarë , me vlerë shumë të rëndësishme për ekonominë e vendit, për shkak të qëndrueshmërisë, kostos më të ulët dhe shpejtësisë më të lartë të transferimit në kohë të mallrave dhe shërbimeve duke realizuar objektiva të shumëfishtë”.

 

Sipas saj, këto objektiva lidhen me sigurinë dhe shpejtësinë e transportit, me ndërtimin e një infrastrukture ndërvepruese, pasi Vorë-Hani Hotit do të lëvizë mallrat dhe shërbimet për edhe nga nga porti i Durrësit në malin e Zi, por edhe përtej në gjithë kryeqytete e rajonit si Lubjana, Beogradi e deri në portet e Bullgarisë.

 

Nga ana tjetër, vijoi ajo, do të ketë kushte më të mira për transportin e palëve të interesuara qofshin këta vendorë, por edhe ente ndërkombëtare.

 

Zv/ministrja Muçaj u shpreh se “do të kemi një standard që ofron elementet e ndërlidhjes rajonale dhe europiane si korridori 8 dhe 10 duke ofruar shpejtësi dhe eficiencë të transportit më të lartë ndërmjet këtij mjeti ndërlidhës.

 

Duke folur për detajet teknike, Muçaj tha se “do të ketë lëvizje me 120 km në orë, në një linjë hekurudhore të elektrifikuar, me 22.5 tonë për aks dhe 8 ton për metër për një gjatësi prej 120 km.

 

Gjatë kësaj linje do të ketë 12 stacione hekurudhore, duke i shërbyer banorëve por edhe transportit të mallrave, ndërtimin e një tuneli prej 320 metra dhe 12 urave të reja dhe pritet të ketë fluks udhëtarësh prej 2 milionë e 300 mijë në vit, dhe volum mallrash prej 900 mijë tonë.

 

Koha e udhëtimit nga Vora në Hanin e Hotit pritet të jetë 2 orë”.

 

“Brenda dhjetorit të këtij vitit do të bëhet edhe plani i prokurimit për fazën e parë të punimeve dhe më pas për fazën e dytë. Punimet pritet të përfundojnë brenda vitit 2030”, tha Muçaj.

 

Deputeti i Partisë Socialiste, Toni Gogu tha se përmes kësaj linje hekurudhore “jo vetëm do të përmirësojmë rrjetin infrastrukturor, jo vetëm do rrisim shpejtësinë, por Tirana do të lidhet përmes rrjetit hekurudhore me kryeqytetet e tjera të rajonit, Podgoricën, Zagrebin dhe Lubjanën”.

 

Sipas tij, kjo marrëveshje do të plotësohet edhe me disa marrëveshje të tjera.

 

“Nuk është vetëm BERZH-i institucioni që na ka dhënë besimin dhe kryesisht shoqërisë aksionare “Hekurudha shqiptare”, por janë edhe Banka Europiane për Investim”, shtoi ai.

 

Gogu ftoi anëtarët e komisionit ta mbështesin këtë marrëveshje dhe ta marrin përsipër këtë angazhim financiar për t’i dhënë hov zhvillimit ekonomik të vendit./Burimi: Ora News


Më të lexuarat