Secondary Adv

Yeldi-i i bonove 12-mujore prek nivelin me te ulet ne gjashte muaj

Yield-et e bonove të thesarit pësuan një rënie të mëtejshme në ankandin e ditës së martë, duke prekur nivelet më të ulëta në gjashtë muajt e fundit.

 

Sipas informacionit nga banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 3.41%, nga 3.54% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

 

Nga 7 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave në ankand arriti në rreth 8.8 miliardë lekë.

 

Megjithatë, duhet thënë se një ndikim të madh në rënien e yield-eve gjatë dy ankandeve të fundit ka qenë sasia e lartë e shumës së rezervuar në ankand për Bankën e Shqipërisë.

 

Nga 7 miliardë lekë që ishte shuma totale e shpallur e ankandit të fundit, gjysma ishte rezervuar për bankën e Shqipërisë. Banka e Shqipërisë nuk merr pjesë në ankand me oferta konkurruese, por i blen bonot me yield-in mesatar të ponderuar të kërkesave të tjera të pranuara.

 

Megjithëse nuk merr pjesë me oferta konkurruese në ankand, Banka e Shqipërisë ndikon ndjeshëm yield-in, duke marrë me rezervim një pjesë të shumës së shpallur të bonove dhe duke rritur diferencën mes kërkesës dhe ofertës për shumën e mbetur.

 

Konkretisht, pro rata apo pjesa e pranuar e ofertave konkurruese në ankandin e të martës ishte mjaft e ulët, në nivelin 9.19%.

 

Aktualisht, yield-et në tregun e bonove ngelen në nivele edhe më të ulëta krahasuar me një vit më parë, kur bonot që u rifinancuan sot ishin emetuar me një yield mesatar të ponderuar prej 3.44%.

 

Gjithashtu, marzhi mbi normën bazë të interesit, që qëndron në nivelin 3.25%, është pranë niveleve më të ulëta historike.

 

Rënia e ndjeshme e inflacionit në muajt e parë të këtij viti ka ndryshuar pritshmëritë për ecurinë e normave të interesit. Nëse deri në fund të vitit 2023 skenari bazë i analistëve ishte një rritje e mëtejshme e normës bazë, të paktën edhe me 0.5 pikë përqindje, sot një alternativë e tillë nuk është në tryezë, të paktën me tendencat aktuale të inflacionit.

 

Banka e Shqipërisë vlerëson se kjo rënie e fortë e inflacionit sidoqoftë është e lidhur me faktorë të ofertës dhe pritet të jetë kalimtare.

 

Megjithatë, tashmë kahu i politikave monetare mund të jetë pranë ndryshimit. Pritet që muajin e ardhshëm Banka Qendrore Europiane të fillojë uljen e normave të interesit për euron.

 

Deri tani, Banka e Shqipërisë nuk ka dhënë orientime të këtij lloji. Megjithatë, një ndryshim i kahut të politikave monetare ka nisur tashmë, por me përdorimin e instrumenteve të tjera.

 

Këtë muaj, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë vazhdimisht në tregun valutor, me qëllim frenimin e rënies së euros poshtë nivelit të 100 lekëve. Në vetvete, blera e valutës dhe rritja e injektimit të lekut në treg përfaqëson një politikë me natyrë lehtësuese.

 

Rënia e yield-eve të bonove kanë një efekt edhe në uljen e normave të interesit për kreditë e sektorit privat të ekonomisë. Në përgjithësi, kreditë me norma të ndryshueshme interesi në lekë kuotohen bazuar në yield-in e bonove 12-mujore.

 

Rënia e normave të interesit mund t’i japë një shtysë edhe më të fortë kreditimit në lekë, që për tremujorin e parë të vitit 2024 pothuajse është dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/yield-et-e-bonove-12-mujore-prekin-nivelin-me-te-ulet-ne-gjashte-muaj/)


Më të lexuarat