Secondary Adv

Garancia Sovrane ende ne leter, ProExport Albania thirrje Bankes se Shqiperise

Sasia e lartë e euros në treg është shoqëruar me forcimin e lekut gjatë muajve të fundit.

 

Fluksi i turistëve, paraja informale apo evazioni fiskal, janë disa nga faktorët që kanë ndikuar në luhatjet e mëdha të kursit të këmbimit.

 

Këto luhatje kanë goditur drejtpërsëdrejti disa sektorë të ekonomisë, ku çdo përqindje e forcimit të lekut, është përqindje e humbur për bizneset prodhuese dhe eksportuese.

 

Me përfaqësues nga këta sektorë, Shoqata “ProExport Albania” ka bërë thirrje që Banka e Shqipërisë të përdorë mekanizma për parandalimin e mbiçmimit të mëtejshëm të lekut.

 

“Jemi të bindur nga studime shumë të sakta, që qeveria dhe Banka e Shqipërisë i kanë mekanizmat në dorë për parandalimin e rënies së euros dhe nëse nuk munden, të paktën të na tregojnë se ku do të shkojë, me qëllim që të paktën edhe ne të marrim masat tona”, u shpreh Florjan Zekaj.

 

Kreu i shoqatës, Edvin Premçe, tha se garancia sovrane për manifakturën nuk ka kaluar akoma në fazën e zbatimit. “Garancia sovrane për manifakturën është akoma në fazën e aktivizmit nga bankat e nivelit të dytë.

 

Nëse flasim për sot, që ka 25 ditë që është bërë aktive ajo VKM dhe dokumentacionet përkatëse, zbatimi është 0 që nënkupton se është akoma në pikën ku është detyrim i bankave që të përpilohen kontratat dhe të zhvillohen procedurat, por e shohim shumë burokratike dhe shumë të ngadaltë, ndërkohë që afati i aplikimit është deri në tetor.”

 

Referuar të dhënave nga INSTAT për katërmujorin e parë të vitit, eksportet kanë rënë me 17%, importet janë rritur me 0.4% dhe deficit tregtar ka pasur rritje dyshifrore./Burimi: SCAN


Më të lexuarat