Fermeret futen ne TVSH, kjo eshte skema qe rrit rimbursimin
Këshilli i Investimeve u mblodh dje për të diskutuar mbi formalizimin dhe mirëfunksionimin e bujqësisë, si dhe kompensimin e TVSH-së. Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Milva Ekonomi, u shpreh se bujqësia është një nga aktivitetet më të rëndësishme dhe se eksportet e sektorit janë rritur me 25 për qind.
Ekonomi informoi se janë marrë disa hapa konkretë nga qeveria për ecurinë e sektorit të bujqësisë. Ministrja konfirmoi se fondi i rimbursimit të TVSH-së për 2015-n kap vlerën 670 milionë lekë dhe përfitues ishin 700 subjekte. “Bujqësia përbën një aktivitet shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Gjatë këtyre 20 viteve, kontributi i bujqësisë në GDP ka qenë rreth 25 për qind.
Eksportet e produkteve bujqësore janë rritur me 44% në vlerë, me një volum prej 79%. U rrit norma e kompensimit të fermerëve nga 6% në 20%. Në vitin 2015, fondi i mbështetjes së skemave ka pësuar disbursim rritjeje prej 7% dhe nga kjo është parë që numri i fermerëve përfitues është rritur.Nga 153 subjekte që përfitonin nga skema në vitin 2013, sot janë 700 subjekte përfituese, duke shënuar një vlerë rimbursimi falë skemës që ne po përdorim për rimbursimin automatik të TVSHsë, 670 milionë lekë për vitin 2015”, tha Ekonomi. Ministrja e Zhvillimit Ekonomik tha se numri i fermerëve përfitues të kredive ka arritur në 40 subjekte.
“Ne kemi një linjë kredie që vjen nga koperacioni italian dhe në këtë linjë kredie numri i subjekteve agropërpunues që kanë përfituar nga skema është 26 projekte investimi. 40 kompani të sektorit të agro-industrisë kanë përfituar nga fondet grant të AIDA-s gjatë periudhës 2014-2016, me një vlerë totale 29 milionë lekë”, tha Ekonomi.
Fermerët me nipt Ministrja e Zhvillimit Ekonomik tha se në çdo program mbështetës elementi i ndihmës në bujqësi ka prioritet dhe synon mbështetjen për fermerët e vegjël, duke çuar dhe në formalizimin e tyre.“Në fushën e bujqësisë ne po ndërmarrim disa reforma që kanë të bëjnë me formalizimin e sektorit. Në vitin 2014 kishim të regjistruar 657 fermerë, në vitin 2015 ne kishim 18.886, duke e çuar numrin e fermerëve në 20 mijë fermerë të rinj të shtuar në këtë formalizim të sektorit. Fermerët që përfitojnë nga skema formalizohen dhe në këtë mënyrë është gjetur një mënyrë pozitive për ta formalizuar sektorin dhe ky është një element shumë i rëndësishëm që kërkojmë të sjellim, duke pasur parasysh që sektori ka shumë operatorë ekonomikë, ka shumë fermerë të vegjël”, shpjegoi Ekonomi.