Formule e re per tatimin mbi pagat – Ndryshon ligji, lehtesohen te rinjte
Ministria e Financave pritet të hedhë për konsultim publik ndryshimet mbi ligjin për tatimin mbi të ardhurat, ku do të preket tatimi mbi pagat.
Konkretisht parashikohet të rritet kufiri i sipërm i pagave mbi të cilat aplikohet tatimi 23%, duke bërë që të gjithë punonjësit me paga të larta në sektorin publik apo privat të përfitojnë reduktim të tatimit, i cili përkthehet në një shtesë e të ardhurave mujore neto që ata marrin.
Aktualisht sipas ligjit për tatimin mbi të ardhurat i cili hyri në fuqi në Janar të 2024-ës, të ardhurat e tatueshme nga punësimi tatohen me normat progresive nga 13-23 për qind në bazë vjetore.
Pra, të ardhurat, nga 0 – 2 040 000 lekë tatohen në bazë vjetore me një normë prej 13% dhe të ardhurat vjetore mbi 2 040 000 lekë tatohen me 23%. Me ndryshimet ligjore që pritet të miratohen aktualisht do të ndiqet e njëjta logjikë.
Burime nga Ministria e Financave bëjnë me dije për SCAN TV se norma tatimore do të llogaritet mbi të ardhurat vjetore, ku individët i prek norma tatimore prej 23 % nëse kalojnë të ardhurat vjetore mbi 2 600 000 lekë.
Po ashtu, një tjetër diskutim i cili është në tryezë lidhet me lehtësimin e të punësuarve të tjerë, të cilët i kap detyrimi për deklarimin dhe pagesën e Tatimit mbi të Ardhurat Personale me Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA), ku sipas të dhënave zyrtare të Administratës Tatimore këtë detyrim për vitin 2023 e kanë në total 73.790 individë.
Në këtë kategori, për të rinjtë deri në 29 vjeç, po diskutohet të zbritet tatimi në masën 1 milionë lekë. Aktualisht, zbatohen zbritje të shpenzimeve nga të ardhurat e krijuara nga punësimi, dhe një prej tyre është kompensimi për çdo fëmijë në ngarkim individit më pak se 18 vjeç, prej 48 mijë lekësh.
Ministria e Financave po diskuton që kjo masë kompensimi të rritet deri në 60 mijë lekë për çdo fëmijë në ngarkim. Kjo paketë masash lehtësuese për të punësuarit ndërmerren si rrjedhojë e performancës shumë të mirë e të të ardhurave tatimore./Burimi: Scan