Secondary Adv

Shoqata e prodhuesve te birres kerkon heqjen e pullave fiskale: Rrit kostot

Me përfundimin e kontratës koncesionare për pullat te mallrat e akcizës në dhjetor 2024, prodhimi nga 2025 do bëhet nga një person i autorizuar i Këshillit të Ministrave.

 

Shoqata e Prodhuesve të Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase dhe Shoqata e Mikrobirrarive, në letrat dërguar ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, dhe ministres për Shtetin, Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, kërkojnë të shqyrtohet mundësia e heqjes së detyrimit të pajisjes me pullë fiskale për birrën.

 

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Prodhuesve të Tregtuesve të Pijeve Alkoolike Vendase, Sajmir Laçej, në letër argumenton se në të gjitha shtetet e botës nuk aplikohet pullë akcize për birrën, sepse krahasuar me produkte të tjera akcize, birra ka një ngarkesë të ulët taksimi të lidhur me përqindjen nën 5% alkool dhe 95% ujë.

 

Sipas tij prodhimi i birrës në vend kryhet në kushte mbikëqyrje nën regjimin e Magazinave Fiskale të Prodhimit, sistem monitorimi nga doganat dhe deklarimet online dhe e bën të panevojshëm vendosjen e pullës fiskale.

 

Ndërsa Xhimi Begeja, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Mikrobirrarive, tha se tarifa për pullën koncensionare ka shtuar kostot te prodhuesit e vegjël, që u goditën edhe nga rritja e akcizës.

 

“Të gjithë ne 10 mikrobirrari prodhojmë 3000 Hektolitra në vit dhe kur mendon që shumica e vendeve të botës e kanë taksën zero për sasitë deri 1000 Hektolitra në vit, mendoni sa larg keni shkuar duke na kërkuar edhe pulla, autorizime dhe garanci, kamera e akses on line.

 

Kosova nuk i takson fare prodhuesit e vegjël deri në 1000 Hektolitra”, thuhet në letër. Nga Shoqata e Mikrobirrarive kërkohet të shikohet mundësia të hiqet akciza për prodhim deri 1000 HL në vit siç aplikohet në BE dhe rajon.

 

Nga Kuvendi i Shqipërisë kontrata koncesionare me “SICPA Security Solutions” u miratua në shkurt të vitit 2011, por data e nisjes së mbetej e paqartë.

 

Nga një grup i përbashkët pune nga Ministria e Financave dhe Avokatura e Shtetit u përcaktua, se data efektive e kontratës ishte 6 Shkurt 2013. Për rrjedhojë, koncesioni i pullave fiskale me afat zbatimi 10-vjeçar duhet të përfundonte më 6 shkurt 2023.

 

Ndërkohë, pretendimet e kompanisë “SICPA Security Solutions Albania” ishin që kontrata të shtyhej për një afat 10-vjeçar, pasi nuk ishte realizuar komponenti i vendosjes së pullave fiskale te barnat.

 

Zbatimi i kontratës koncesionare po shkaktonte shumë pakënaqësi te bizneset , për shkak të tarifës së lartë që paguanin në një kohë kur ky koncesion vetëm sa kishte shtuar ngarkesën fiskale dhe nuk i kishte shërbyer qëllimit të tij për të luftuar evazionin dhe kontrabandën.

 

Në Shqipëri tarifa e pullave fiskale te birra ishte 22,4 USD për 1,000 copë, ndërsa në Europë çmimi mesatar i pullave fiskale është 3 USD për 1,000 copë, në Kosovë 2,2 USD. Sipërmarrësit vendas paguajnë gati rreth herë më shumë në raporti me çmimin mesatar të pullave në Europë.

 

Pas pretendimeve të palëve, Ministria e Financave propozoi projektligjin për shtyrjen e kontratës deri më dhjetor 2024, edhe me 2 vite të tjera, që më pas u miratua edhe nga Kuvendi.

 

Gjithashtu u rishikua tarifa me ulje 10% nga tarifa e mëparshme që paguhej prej biznesit./Burimi: Balkanweb


Më të lexuarat