Secondary Adv

Vendim, ERE anulon centralet me koncesion te Sali Berishes

Vendimet e ERE-s janë publikuar këto ditë në Fletoren Zyrtare dhe kanë të gjitha një emërues të përbashkët: heqjen e menjëhershme të licensave për kompanitë, që kanë marrë përsipër ndërtimin e një numri centralesh që shfrytëzojnë energjinë eolike apo të masës bimore për të prodhuar energji elektrike.


ERE ve në dukje se ka pranuar më parë kërkesat e shoqërisë “Biopower Green Energy” sh.p.k., për shtyrjen e afateve për realizimin e projektit, duke përfshirë këtu edhe kolaudimin e veprës me vendime përkatëse në vitet 2010, 2011 dhe 2013.Ndërkohë, kjo kompani, që duhej të ngrinte një central në Lezhë ka kërkuar sërish më 2015 shtyrje me 12 muaj të afatit të ndërtimit të objektit, ndërkohë që e kishte marrë licensën që më 2008. Në këto kushte, ERE vendos rrëzimin e kërkesës së shoqërisë “Biopower Green Energ” sh.p.k, për zgjatjen e afatit të licencës datë 6.8.2008, për ndërtim, instalim, shfrytëzim të centraleve elektrike dhe prodhimin e energjisë elektrike të Parkut Eolik “BPGE 1” dhe “BPGE 2”, Shëngjin, Lezhë. Po kështu, ERE vendos edhe fillimin e procedurave për heqjen e licensës së shoqërisë “Biopoëer Green Energy” sh.p.k..


Po kështu, pas disa shtyrjesh të afatit, ERE vendos edhe rrëzimin e kërkesës së shoqërisë “ERS-8” sh.p.k., për zgjatjen e afatit të licensës për ndërtim, instalim, shfrytëzimin të centraleve elektrike dhe prodhimin e energjisë elektrike nga Parku Eolik Kavajë, datë 13.6.2008 dhe fillimin e procedurave për heqjen e licencës së shoqërisë “ERS-08” sh.p.k.


E njejta procedurë vijon me kompaninë “Hera” sh.p.k., e cila kishte marrë përsipër më 2007 ndërtim, instalim, shfrytëzimin dhe prodhimin e energjisë elektrike nga centrale elektrike (Projekti Kappet), në Bilisht.Po të njejtin fat ka pësuar edhe kompania “E-Vento s.r.l. Albania” sh.p.k., që synonte të realizonte Parkun Eolik Sarandë me një licensë të dhënë në vitin 2008.


Ndërkohë, “Albanian Green Energy” ka hunbur licensën për ndërtim, instalim, shfrytëzimin dhe prodhimin e energjisë elektrike nga centrale eolike (bllok motorë, gjeneratorë të ushqyer me biomasë të lëngshme) - Shëngjin, të dhënë me vendimin e Bordit të Komisionerëve ERE-s me nr. 89, datë 6.8.2008 dhe “ALB Ëind Energy” sh.p.k. ka humbur licensën për ndërtim, instalim, shfrytëzimin e centraleve elektrike dhe prodhimin e energjisë elektrike nga Parku Eolik “Projekti VISU dhe projekti TERPAN” në grykëderdhjen e lumit Shkumbin.


Licensat
Të gjitha këto vendime kanë marrë, më parë se të kalonin në ERE, miratimin nga ana e Këshillit të Ministrave, që drejtohej nga Sali Berisha në vitet 2007-2008. Po kështu, edhe Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit në ato kohë, që drejtohej gjithnjë nga ish-kryeministri, lejen për të të ndërtuar objekte gjigande si parqe të “mullinjve me erë” apo për të shfrytëzuar pyje, toka bujqësore, etj në sipërfaqe të konsiderueshme.


Në atë kohë, Berisha theksoi, jo pa mburrje, se në Shqipërim falë punës së mirë të qeverisë së tij, po vërshonin miliarda euro investime të huaja, që jo vetëm do të rritnin ndjeshëm Prodhimin e Brendshëm Bruto, por edhe do ta kthenin vendin në një eksportues neto të energjisë elektrike, duke shfrytëzuar burime të rinovueshme, të tilla si era apo biomasa, që nuk ndotin mjedisin. Opozita, por edhe ekspertë të fushës dyshuan për seriozitetin e impenjimit të firmave të licensuara, duke qenë se asnjë prej tyre nuk ishte një kompani e madhe ndërkombëtare, e njohur në tregjet botërore për investime të mëdha.


Me vonesat e pajustifikueshme për realizimin e objekteve që kishin marrë përsipër të ndërtonin, si dhe me kërkesat e njëpasnjëshme për të shtyrë afatet, u krijua përshtypja se qëllimi i vërtetë i këtyre kompanive, si dhe i njerëzve me pushtet në atë kohë, ishte përdorimi i licensave të dhëna nga shteti shqiptar si garanci për të marrë kredi bankare, që do të përdoreshin për qëllime të tjera. Duket se Enti Rregullator tashmë e humbi durimin, pas disa shtyrjesh, duke dhënë vendimin për heqjen e licensës për kompanitë që nuk kanë realizuar sipas kalendarit të rënë dakord më parë investimet.        


Më të lexuarat