Secondary Adv

Perfundon kontrata e markimit te karburanteve, sherbimi kalon tek Doganat

Pas një viti shtyrje, në gusht të vitit 2024 përfundon kontrata e markimit të karburanteve.

 

Ministria e Financave sqaron se në vijim të Urdhrit nr. 301 datë 29.12.2023 të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, nga grupi i punës janë realizuar komunikimet institucionale për të marrë masat për transferimin e kontratës dhe dorëzimin aseteve të saj nga Shoqëria Koncesionare tek Autoriteti Kontraktues, përkatësisht te Drejtoria Përgjithshme e Doganave, sipas dispozitave dhe afatit të kontratës koncesionare.

 

Kontrata e Koncesionit/PPP “Për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve”, që parashikonte shërbimit e markimit dhe të monitorimit të karburanteve për qëllim të shmangies së evazionit fiskal u miratua në maj 2023.

 

Operacionet e markimit të karburanteve në terren filluan në muajin Shtator 2013, kurse operacionet e monitorimit të tregut të karburanteve të rafinuara filluan më datë 23 Qershor 2014.

 

Në gusht të vitit të kaluar Qeveria e shtyu edhe me një vit kontratën e markimit të karburanteve.

 

Sipas vendimit të një viti më parë, kontrata e koncesionit u bë 11 vjet, duke filluar nga data efektive. Më parë, kontrata kishte afat 10-vjeçar.

 

Vendimi nuk dha arsyet e shtyrjes, por sqaroi vetëm që kjo erdhi si rezultat i kërkesës së Autoritetit Kontraktues, pa pasur asnjë paragjykim mbi pretendimet e koncesionarit të rrjedhura nga zbatimi i Kontratës së Koncesionit.

 

Argumenti që ka dhënë koncesionari për shtyrje me disa vjet lidhet me mosmarkimin e naftës bruto, e cila praktikisht është e pamundur që të kryhet sipas operatorëve të tregut.

 

Operatorët e tregut u ankuan në atë kohë si për shtyrjen për një vit, ashtu dhe për gjithë koncesionin, që sipas tyre nuk ka bërë asgjë për të luftuar kontrabandën, pasi shënjohet nafta që del në treg dhe jo ajo që nuk paguan akcizë.

 

Për këtë kontratë koncensionare që kishte si qëllim markimin dhe gjurmimin e karburanteve që rezulton i paefektshëm sipas kompanive importuese janë paguar për 9 vite rreth 30 mln euro.

 

Tarifa e koncesionit është paguar nga konsumatori, pasi ka rritur çdo vit çmimin e naftës 1 lekë për litër. Deri në 2021, për 9 vite (periudha 2013-2021), të ardhurat e kompanisë GFI Albania, që bëri zbatimin e kësaj kontrate sipas bilanceve në QKB janë rreth 3,4 mld lekë, apo 32 mln euro.

 

Pak muaj më parë financat vendosën të mos rinovohet më as kontrata e pullave fiskale me “Sicpa Security Solutions S.A.” e “Sicpa Security Solutions Albania sh.p.k.”,. Nga data 1 janar 2025 prodhimi dhe shpërndarja e pullave fiskale të kryhet nga një person i autorizuar nga Këshilli i Ministrave.

 

Njëkohësisht financat nuk i dhanë dritë jeshile as një koncesioni të propozuar “Për ofrimin e shërbimit të infrastrukturës të çelësave publikë PKI”, i cili parashikonte që rreth 120 mijë certifikata elektronike do të prodhoheshin çdo vit për fiskalizimin e bizneseve.

 

Edhe ky koncesion ishte kundërshtuar nga grupet e interesit për shkak të sigurisë së prodhimit.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/perfundon-kontrata-e-markimit-te-karburanteve-sherbimi-kalon-tek-doganat/)


Më të lexuarat