Secondary Adv

Raporti ekonomik 2015, doganat mbledhin 6.5 miliard leke me pak

Qeveria depoziton në Kuvend projektligjin e buxhetit faktik për vitin 2015, i cili pritet të shqyrtohet javën e ardhshme në komisionet parlamentare. Në raportin bashkëlidhur projektligjit përfshihet dhe një raport i detajuar për situatën makroekonomike dhe buxhetore për vitin 2015.

 

Me anë të të cilit bëhet një analizë e detajuar e treguesve kryesorë makroekonomikë dhe e realizimit të treguesve buxhetor për vitin 2015. Raporti përmban gjithashtu të dhëna statistikore, informacione dhe një bashkësi treguesish, të cilët janë në funksion të një gjykimi sa më racional, mbi rezultatet dhe treguesit kryesorë të buxhetit të qeverisjes së përgjithshme për vitin 2015.Sipas këtij raporti, sektori më i dobët i ekonomisë shqiptare administrata doganore, e cila gjatë vitit të kaluar ka mbledhur 144.1 miliardë lekë ose rreth 6.5 miliardë lekë më pak se një vit më parë, me një rënie prej 7.7 për qind. Të ardhurat tatimore për periudhën 12-mujore arritën në 342.3 miliardë lekë, 4% më pak se parashikimi për vitin 2015 sipas buxhetit vjetor të ndryshuar dhe 1.9% më shumë se një vit më parë. Administrata tatimore ka mbledhur (përfshirë kontributet) 180.9 miliardë lekë, që do të thotë 10.63 për qind më shumë të ardhura se ato të vitit 2014 ose 17.3 miliardë lekë më shumë.


 Ndërkaq, qeveria thotë se ekonomia shqiptare gjatë vitit 2015 u rrit me 2.61 për qind krahasuar me vitin 2014. Të ardhurat e buxhetit të konsoliduar për periudhën 12-mujore arritën në 379.2 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 3.4 për qind krahasuar me vitin 2014, ndërsa në raport me PBB-në janë 26.25 për qind nga 26.4 për qind e PBB-së për vitin 2014. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat u realizuan në masën 342.3 miliardë lekë ose 1.4 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë; të ardhurat nga pushteti vendor arritën në 11.7 miliardë lekë nga 12.5 miliardë lekë të planifikuara për këtë periudhë; të ardhurat nga fondet speciale arritën 71.7 miliardë lekë, me realizim prej 101 për qind dhe me rritje vjetore 12.9 për qind ose 8.2 miliardë lekë; të ardhurat nga ndihmat rezultojnë 11.2 miliardë lekë nga 8.5 miliardë lekë të një viti më parë; të ardhurat jotatimore janë realizuar 25.7 miliardë lekë nga 22.6 miliardë lekë të vitit 2014. Degët që kanë kontribuar negativisht në ekonominë shqiptare janë: “Pasuritë e paluajtshme” me -0,56 pikë përqindje, “Industria, Energjia dhe Uji” me -0,38 pikë përqindje, “Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi” me -0,37 pikë përqindje dhe “Aktivitetet financiare dhe të Sigurimit” me -0,09 pikë përqindje.


Si dhe taksat Neto mbi produktet kontribuuan negativisht me -0,31 pikë përqindje. Po ashtu, qeveria thotë se konsumi final regjistroi një rënie gjatë gjysmës së parë të vitit 2015, por rikuperoi në pjesën e dytë të tij, veçanërisht gjatë tremujorit të katërt të vitit ku u rrit me 2,12 për qind krahasuar me tremujorin e katërt të një viti më parë, mbështetur nga normat e ulëta të interesit, rritja e flukseve hyrëse të dërgesave dhe përmirësimi i besimit në ekonomi. Ndërsa ritmi i rritjes së investimeve u ngadalësua në tremujorin e katërt të vitit 2015. Ndërkohë, konsumi i administratës publike ka vazhduar të tkurret edhe në tremujorin e katërt të vitit 2015 ku u ul me 3,74 për qind, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2014. Kërkesa e huaj ka pasur thuajse një kontribut neutral në rritjen e PBB, duke reflektuar kryesisht tkurrjen e saj për eksportet e mallrave.


Eksportet për periudhën janar-dhjetor 2015 shënuan rënie prej -4,9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kontributi negativ në rënien e eksporteve totale ka ardhur thuajse i gjithi nga kategoria “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -8,4 pikë përqindje, brenda kësaj, veçanërisht prej efektit të rënies së çmimeve të naftës bruto. Rrjedhimisht, nëse ecuria e eksporteve do të zhvishej nga kjo kategori, atëherë eksportet totale regjistrojnë një rritje pozitive prej rreth 3,5 për qind. Importet e mallrave për vitin 2015 u tkurrën me 1,4 për qind krahasuar me vitin 2014.
Efektin kryesor në tkurrjen e tyre e ka dhënë reduktimi i fortë i importit të energjisë elektrike krahasuar me vitin 2014, i cili ishte një vit mjaft i vështirë në aspektin e prodhimit të energjisë elektrike. Rrjedhimisht, gjatë periudhës janar-dhjetor 2015, deficiti i bilancit tregtar u zgjerua me 1,60 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të ardhurat nga Pushteti Vendor arritën në 11.7 miliardë lekë, 7% më pak se të ardhurat e planifikuara për këtë periudhë dhe me rënie vjetore prej 6% ose 747 milionë lekë më pak.


Deri në datën 31 dhjetor të vitit 2015, Fondi Rezervë i buxhetit të shtetit është prekur nëpërmjet 36 VKM-ve, në shumën prej rreth 1,493.8 milionë lekësh, nga 1,552 milionë lekë të planifikuar ose rreth 96.2 për qind e tij. Nga Fondi Rezervë i ekzekutuar deri më datën 31 dhjetor 2015, rreth 48,9 milionë lekë janë përdorur për shpenzime personeli, rreth 838,4 milionë lekë për shpenzime të tjera korrente (shpenzime operative dhe transferta të brendshme) dhe rreth 490,9 milionë lekë për investime. Gjatë vitit 2015, buxheti i shtetit u ndryshua tri herë me tri akte normative të ndryshme.


Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit për vitin 2015, kanë financuar 128 programe buxhetore dhe kanë synuar realizimin e 833 produkteve të 16 ministrive, 39 institucioneve qendrore dhe Fondeve Speciale për Sigurimet Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve. Gjithashtu, këto shpenzime kanë financuar edhe buxhetin e 65 bashkive, 308 komunave dhe 12 qarqeve para datës 21 qershor 2015 dhe pas kësaj date, të 61 bashki dhe 12 qarqeve. Ministritë dhe institucionet buxhetore, që përfaqësojnë buxhetin qendror kanë shpenzuar 401 miliardë lekë ose 92 për qind të totalit të shpenzimeve, ndërsa njësitë e qeverisjes vendore kanë shpenzuar 35 miliardë lekë ose 8 për qind të totalit të shpenzimeve të përgjithshme të vitit 2015.


Qeveria
Borxhi publik është 72.2 për qind. U rrit gjatë 2015-s.Në fund të vitit 2015, borxhi publik në raport me PBB është në nivelin e 72.2% dhe përbëhet nga borxhi i qeverisë qendrore dhe Borxhi i Pushtetit Vendor. Në raportin analitik mbi ecurinë e borxhit, qeveria thekson se borxhi i Qeverisë Qendrore në fund të vitit 2015 është 1,042.2 miliardë lekë ose 72.1% i PBB-së, ndërkohë borxhi i Pushtetit Vendor vazhdon të jetë në nivele jo të konsiderueshme, 0.9 miliardë lekë ose 0.07% i PBB. Gjatë vitit 2015 borxhi i qeverisjes qendrore në raport me PBB është rritur me 2.3 pp dhe të gjithë peshën e rritjes e ka mbajtur borxhi i jashtëm, ndërkohë që borxhi i brendshëm ka pësuar rënie. Rritja e borxhit të jashtëm ka ardhur si rezultat i kushteve të favorshme në tregun e jashtëm dhe si rezultat i përpjekjes së qeverisë për të ulur presionin e huamarrjes së brendshme dhe për t’i dhënë frymëmarrje kreditimit të sektorit privat.


Më të lexuarat