Secondary Adv

Balluku: Se shpejti hapet gara nderkombetare per Portin e Ri Tregtar ne Durres

Gara Ndërkombëtare për Portin e ri Tregtar në Porto Romano do të hapet pas pak javësh.

 

Lajmin e bëri të ditur zëvëndëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në fjalën e mbajtur në eventin “Maritime Week 2024”, organizim 3 ditor i Autoritetit Portual Durrës.

 

“Durrësi vetëm pas pak javësh do të ketë hapjen e një gare ndërkombëtare për ndërtimin e porti të ri në zonën e Porto Romanos, pak milje larg nga këtu ku jemi, i cili do të jetë port i të gjithë shqiptarëve dhe i të gjithë ballkanasve perëndimorë, pasi parashikon që ti ofrojë shërbime me dy porte të thata, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, përveçse Shqipërisë.

 

Ne për më tepër si mikpritës që jemi dhe si dashamirës të të gjithë shteteve të tjera të rajonit do ti kemi dyert të hapura edhe për Bosnje Hercegovinën, edhe për Serbinë, madje edhe për Malin e Zi, se ndoshta disa prej zonave përqark i vjen më lehtë të vijnë në një port modern si ai i Durrësit” tha Balluku.

 

Ajo evidentoi faktin se pozicioni gjeografik ka bërë që vendi të jetë porta e dy korridoreve të rëndësishme ndërkombëtare, Korridori 8 dhe Korridori Blu, çka ka bërë që industria detare të marrë rëndësi të veçantë.

 

 “Jemi ata që mbajnë portën e madhe të Korridorit të VIII. Korridori i VIII që lidh Italinë Europiane me Shqipërinë, me Maqedoninë e Veriut, dy vende të cilat aspirojnë të bëhen anëtarë të Bashkimit Europian dhe me Bullgarinë, një tjetër anëtar i Bashkimit Europian.

 

Ne mbajmë portën e Korridorit Blu, atij që lidh Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë. Pra të gjitha këto i japin një rëndësi të veçantë industrisë detare.

 

I japin një rëndësi të veçantë çdo njërit prej jush që kontribuon sot në këtë industri, e cila sigurisht ka nevojë edhe për pjesë të tjera komplimentare për tu bërë e plotë” tha më tej Balluku.

 

 Përgjatë tri ditëve, 13-15 Qershor, u mbaj eventi “MARITIME WEEK 2024″, organizim i Autoritetit Portuial të Durrësit, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Komunitetin e Transportin, Universitetin Aleksandër Moisiu”, Flotën Detare dhe organizata detare kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

Një event dedikuar zhvillimit të mëtejshëm të sektorit, përmes diskutimeve dhe shkëmbimit të eksperiencave./Burimi: Scan


Më të lexuarat