18 ankande bonosh dhe obligacionesh ne korrik-shtator, vlera arrin 74.6 mld leke
Gjatë periudhës korrik-shtator Ministria e Financave ka planifikuar të zhvillojë 18 ankande bono thesari dhe obligacionesh.
Sipas kalendarit të bërë publik, gjatë tre muajve të ardhshëm qeveria synon të sigurojë në tregun e brendshëm një hua prej 74,6 miliardë lekësh.
Karakteristikë për këtë periudhë që përkon më së shumti me pushimet verore është se pjesa më e madhe e ankandeve janë për obligacionet.
Në muajin korrik është parashikuar vetëm një ankand për bono thesari 12-mujore, me vlerë prej 9,5 miliardë lekë.
Ndërkohë, pesë ankandet e tjera janë për obligacionet, emetime të reja 2, 3, 5, 7 dhe 10-vjeçare me një vlerë totale prej 22 miliardë lekë.
Në muajin gusht pritet të zhvillohen tre ankande bonosh 6 dhe 12-mujore me vlerë të përgjithshme 15,6 miliardë lekë, si dhe katër ankande obligacionesh. Gjatë këtij muaji, qeveria synon të sigurojë në tregun e brendshëm 25,6 miliardë lekë.
Sa i përket shtatorit është planifikuar të zhvillohet vetëm një ankand bonosh 12-mujore me vlerë 6,5 miliardë lekë, si dhe katër ankande obligacionesh rihapje.
Gjatë këtij viti është parashikuar që borxhi publik do të merret në masën më të madhe në tregun e brendshëm, në formën e bonove të thesarit dhe obligacioneve. Referuar planit vjetor të huamarrjes, totali i emetimeve të këtij viti pritet të jetë rreth 378.64 miliardë lekë.
Investimi në tituj qeveritar konsiderohet si investimi më i sigurtë në vend. Individët mund të marrin pjesë në ankandet e bonove të thesarit nëpërmjet sporteleve të Bankës së Shqipërisë në Tiranë,
Dhe degët e saj në qytetet Shkodër, Elbasan, Lushnje, Korçë dhe Gjirokastër, ose nëpërmjet subjekteve të licencuara nga autoritetet përkatëse për këtë shërbim./Burimi: Scan TV